Lidhje

Gjysmë milionë njerëz në marshimin e grave në Uashington


Një organizim që e pati zanafillën në Facebook pasi një grua i bëri thirrje njerëzve për angazhim pas fitores së presidentit Donald Trump. Kështu filloi ideja që arriti dje pikën kulmore me marshimin e grave në Uashington, një ditë pas inaugurimit presidencial. Zyrtarët e qytetit vlerësuan se gjysëm milionë njerëz morën pjesë vetëm në kryeqytetin amerikan.

Një det me kapele ngjyrë rozë shihej në të gjitha drejtimet përreth skenës së tubimit në Bulevardin Independence dhe pjesëmarrësit mbushën gjithë perimetrin përreth skenës, që ndodhet pranë Zërit të Amerikës.

Gra dhe burra kishin udhëtuar nga i gjithë vendi dhe me brohoritje dhe një mozaik pankartash, u angazhuan politikisht.

Politikanë, aktore dhe muzikantë bënë thirrje për rezistencë kundër presidentit të ri.

Por ishte një feministe legjendare e brezit të mëparshëm e cila iu lut marshuesve të luftojnë globalisht, dhe për më gjatë se një ditë, për të drejtat e tyre.

Gloria Steinem me pjesëmarrës në Marshim
Gloria Steinem me pjesëmarrës në Marshim

"Disa herë na duhet të shfaqemi fizikisht për të mbrojtur bindjet tona. Ndonjëherë, vetëm shprehja virtuale nuk mjafton”, tha ikona e feminizmit, Gloria Steinem.

"Ne jemi Amerika. Ne nuk do të kthehemi nga një vend emigrantësh në një vend injorance”, tha aktorja hispanike America Ferrera.

Marshimi, një ditë pas inaugurimit

Vetëm 24 orë pasi Donald Trumpi bëri betimin për postin e ri, mijëra gra dhe burra dolën në rrugë për t’i thënë presidentit se ata do të luftojnë për vlerat dhe vizionin e tyre të Amerikës.

Pjesëmarrësit marshuan te Shtëpia e Bardhë...ndërsa miliona të tjerë u mblodhën në qytete të tjera në Amerikë dhe në botë.

Në qendër të Uashingtonit, disa mbështetës të zotit Trump mbrojtën presidentin e tyre të ri. Dhe ndërsa organizatorët thanë se marshimi ishte rreth shumë më tepër se ai, besimet e presidentit të ri përbënë një pikë të përbashkët të demonstruesve në Washington.

Në shumë raste, ishte e vështirë të arrihej tek vendi i grumbullimit për marshimin. Autobuzët dhe trenat e metrosë ishin plot.

Deri pak para mesditës, 275 mijë vetë kishin përdorur metronë. Të premten, në ditën e inaugurimit, në të njëjtën kohë 193 mijë vetë kishin përdorur sistemin e metrosë.

Protesta të ngjashme u mbajtën në shumë qytete të tjera të mëdha, duke përfshirë Londrën, Berlinin, Nairobin dhe Sidnein. Të paktën 600 mitingje u planifikuan në mbarë botën.

Një vajzë myslimane e një babai afrikano-amerikan dhe e një nëne marokene, thotë se i frikësohet retorikës anti-myslimane të zotit Trump:

“Kur përdorja metronë çdo ditë për të shkuar në punë, vija një kapuç sepse nuk doja të më ngacmonin njerëzit” tha Ruqayyah, një studente.

... dhe një nënë nga Alabama, udhëtoi me autobuz për 14 orë për të ardhur:

“Kjo është padyshim një nga aventurat më të mëdha që kam përjetuar, dhe përfshirja ime më e madhe politike. Unë jam natyrë e qetë kështu që kjo është padyshim një gjë e re për mua” tha ajo.

... dhe një nënë ndau dashurinë e saj për angazhim në politikë me vajzën e saj:

“Natyrisht ne e pranojmë atë si president – kjo është pjesë e demokracisë. Por unë nuk do të rri duarlidhur duke pritur që kjo lloj sjelljeje të bëhet normë” tha Holly Seibold.

Dhe një 73-vjeçare e mbështetur nga djali dhe nipërit, e cila nuk mund të marshonte, por udhëtoi me avion nga larg për të ardhur:

“Është shumë e rëndësishme që ne t’i themi Trump-it se kërkojmë respekt për gratë – dhe për të gjithë. Mos na kritiko, se ne do të luftojmë” tha Marilynne Starr.

Një kërkesë e bërë jehonë nga marshuesit të cilët thonë se kjo ditë tregoi forcën në numrin e tyre.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG