Lidhje

Banka Botërore miraton kuadrin e ri të partneritetit me Kosovën


Banka Botërore bëri të ditur se “bordi i drejtorëve të kësaj banke, ka miratuar Kuadrin e Partneritetit me Kosovën për periudhën 2017-2021, me të cilën synohet të ndihmohet Kosova për t'u krijuar qytetarëve mundësi për jetë më të mirë”.

Në njoftimin e Bankës Botërore në Kosovë thuhet se “financimi për projekte në Kosovë gjatë kësaj periudhe vlerësohet se do të jetë 210 deri në 280 milionë dollarë. Kreditë për Kosovën ende do të jenë me kushte koncesionale, shkallë të ulët interesi dhe me kohë të gjatë të kthimit”.

Përkrahja, sipas kësaj banke “do të përqendrohet në tri shtylla: shpejtimi i rritjes ekonomike përmes sektorit privat dhe krijimi i punësimit, përmirësimi i shërbimeve publike dhe promovimi i energjisë së qëndrueshme”.

Ministria e Financave në qeverinë e Kosovës tha se “investimet e Bankës Botërore në Kosovë do të ndihmojnë institucionet e Kosovës në rritjen e punësimit dhe të produktivitetit, uljen e mëtutjeshme të varfërisë, përmirësimin e sistemit të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe forcimin e sektorit të energjisë”.

Po ashtu sipas ministrisë së financave, ky partneritet mbështetë përparësitë ekonomike dhe sociale të qeverisë së Kosovës të paraqitura në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës për periudhën 2016-2021, si dhe Programin e Reformave Ekonomike.

Në qershor të vitit 2009 Kosova u bë anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe anëtarësimi që vlerësuar me rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës e cila përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG