Lidhje

Ndikimi socio-ekonomik i Botërorit


Qeveria braziliane thotë se ka investuar miliarda dollarë në infrastrukturë, siguri dhe zgjerime shërbimesh sociale si pjesë e përgatitjeve për Kampionatin Botëror të futbollit. Edhe pse qeveria thotë se këto investime do të sjellin përfitime afatgjata për shoqërinë, analistët e pavarur thonë se ndikimi është i paqartë.

Planifikuesit urbanë thonë se 11 miliard dollarët e shpenzuara për stadiume dhe infrastrukturë kanë krijuar vende pune për disa brazilianë të varfër. Por ata thonë se punimet publike kanë rritur çmimet e jetesës dhe kanë detyruar banorët e varfër të largohen më tepër nga vendet e punës dhe shërbimet.
Veçanërisht i diskutueshëm ka qenë i ashtuquajturi program paqtimi në komunitetet informale, ose favelat. Forca speciale, të quajtura UPP (Njësitë Policore të Pacifikimit) janë shpërndarë në dhjetra favela për të larguar trafikantët e drogës dhe kriminelët e tjerë.

Rezultatet kanë qenë të ndryshme, thotë profesori i urbanistikës Chriss Gaffney, nga Universiteti Fluminense Federal.

"Një përfitim është se ne kemi parë një ulje dramatike në numrat e të vdekurve nga armët me zjarr, sepse policia nuk vjen më që të hapë zjarr rastësisht në këto komunitete. Por kemi vënë re një rritje në numrin e krimeve të vogla, përdhunimet dhe vjedhjet.”

Ai thotë se trafikantët i përkisnin këtyre komuniteteve dhe impononin llojin e tyre të drejtësisë të menjëhershme, ndërsa policia shihej me dyshim. Zoti Gaffney shton se gangsterët thjeshtë kanë lëvizur operacionet e tyre në favela të tjera.

Megjithatë, programi ka sjellë rregull në lagjie që nuk e kishin më parë.

“Këto vende ishin të mbyllura në shumë aspekte nga tregu formal. Pra UPP-ja shkon në favela dhe largon trafikantët e drogës dhe lejon që vendi të bëhet pjesë e tregut formal, nëpërmjet turizmit dhe projektet e sponsorizuara nga shteti ose bizneset e formalizuara.”

Investimi në programet sociale nga organi i organizimit të Botërorit, FIFA-s, është një tjetër zhvillim pozitiv, thotë profesorja për Menaxhim Sporti Lisa Delpy Neirotti e Universitetit George Washington.

“Ka patur shumë programe edukative, që i mësojnë të rinjve në lidhje me mjedisin, që përdorin futbollin për edukimin e tyre në lidhje me çështje të tjera, si SIDA, dhe duke i shtyrë ata të shkojnë në shkollë.”

Qeveria braziliane thotë se miliarda dollarë do t’i shtohen ekonomisë për shkak të Botërorit, por shumë brazilianë besojnë se vetëm disa do të përfitojnë.

Kritikët vënë në dukje se disa qytete evropiane kanë refuzuar propozimet për të organizuar ngjarje kaq të mëdha. Ata besojnë se modeli duhet të ri-shqyrtohet nëse vendet mikpritëse duan të shmangin protestat publike si ato që kanë ndodhur gjatë Botërorit në Brazil.

XS
SM
MD
LG