Lidhje

Konkurrueshmëria, Shqipëria bie në renditje


Publikohet raporti vjetor i World Economic Forum. Shqipëria në vendin e 95, humbet 6 pozicione. Mes vendeve të rajonit, lë pas vetëm Serbinë

Shqipëria ka humbur 6 pozicione në klasifikimin e përvitshëm të Raportit Global mbi Konkurrueshmërinë të World Economic Forum I cili u bë sot publik. Shqipëria ndodhet në vendin e 95 mes 148 vendeve të botës të marra në shqyrtim

Raporti i cili vlerëson tërësinë e institucioneve, politikave dhe faktorëve që përcaktojnë produktivitetin e një vendi, hartohet mbi bazën e 100 treguesve të organizuar në 12 kategori duke nisur që me infrastrukturën, mjedisin makroekonomik, shëndetësinë, arsimin e deri të efikasiteti i tregjeve, atyre të punës dhe financës apo dhe invacioni. Vlerësimi bëhet sipas një sistemi pikësh ku 1 është më e ulta dhe 7 pikë është vlerësimi maksimal.

Shqipëria ka marrë 3.85 pikë. Ndër kategoritë më të vlerësuara është shëndetësia dhe sistemi arsimor fillor, me 5.9 pikë. Pozitiv edhe klasifikimi për mjedisin makroekonomik, me 4.41 pikë. Me mbi 4 pikë është vlerësuar efikasiteti i tregut të punës apo dhe arsimimi i lartë. Pikët më të ulta janë dhënë për invacionin, 2.8 dhe përmasat e tregut.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka lënë pas Serbinë e cila ndodhet në vendin e 101, ndërsa përpara saj është Bosnja në vendin e 87, Kroacia në të 75-in, Maqedonia në vendin e 73-të dhe Mali i zi në të 67-in. Kosova nuk është përfshirë në vendet e marra në shqyrtim.

Në vendet e para të klasifikimit botëror vazhdojnë të jenë Zvicra, Singapori dhe Finlanda ndërsa në fund të listës janë Cadi, Burundi, Guinea apo Jemeni. Sipas raportit të këtij viti, niveli i lartë I inovacionit dhe forcimi i institucioneve kanë qenë ndër faktorët kryesor në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomive.
XS
SM
MD
LG