Lidhje

Presidenti kinez mbërrin në Amerikë


Presidenti kinez Xi Jinping, i cili filloi sot një vizitë në Shtetet e Bashkuara, tha se qeveria e tij e sheh me seriozitet sigurinë kibernetike dhe se ata që kryejnë krime të tilla, përfshirë hakerat që vjedhin sekretet tregëtare, duhet të dënohen sipas ligjit dhe konventave ndërkombëtare.

Në komente të botuara sot në gazetën Wall Street Journal, presidenti Xi tha se edhe Kina ka qenë viktimë e sulmeve kibernetike dhe mohoi çfarëdo roli të qeverisë në vjedhjen e të dhënave të biznesit.

Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Kinën se spiunazhi kibernetik i mbështetur nga Pekini është një pengesë madhore në marrëdhëniet amerikan-kineze dhe se ky lloj spiunazhi duhet të marrë fund.

Kjo pritet të jetë edhe një nga temat më delikate të bisedimeve mes Presidentit Barack Obama dhe homologut të tij kinez.

Situata e të drejtave të njeriut në Kinë do të jetë një çështje tjetër e axhendës së diskutimeve gjatë takimit mes presidentit amerikan dhe atij kinez pas disa ditësh në Uashington. Në prag të vizitës shtetërore të presidentit Xi Jinping në Uashington, Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice, ka bërë thirrje për lirimin e kundërshtarëve politikë të burgosur në Kinë, ndërsa aktivistët kanë bërë thirrje për masa më të rrepta ndaj Pekinit.

Susan Rice ka bërë tre vizita zyrtare në Kinës, gjatë të cilave ajo ka ngritur çështjen e të drejtave të njeriut në secilën prej vizitave.

“Ndalimi i avokatëve, gazetarëve dhe aktivistëve kundër korrupsionit vetëm sa ul kredibilitetin e përpjekjeve të Kinës për të trajtuar sfidat, dhe aftësitë e saj për të krijuar një shoqëri të begatshme dhe të qendrueshme. Bllokimi i qasjes së lirë në internet, kur bota po shkon drejt hapjes dhe lidhjeve, vetëm shkurton shanset e popullit kinez për të përparuar.”

Politikanë dhe grupe amerikane thonë se të drejat e njeriut në Kinë janë keqësuar nën presidentin Xi. Shqetësime shprehu edhe ligjvënësi amerikan Christopher Smith:

“Kina dhe Koreja e Veriut mbajnë titullin kampion të shkeljes më të rëndë të të drejtave të njeriut në botë.”

Yang Jianli është mes aktivistëve që kritikoi botën perëndimore për lidhjet me Kinën gjatë një seancë dëgjimore në Kongresin amerikan.

“Të drejtat e njerit në Kinë janë kaq të rënda kryesisht si rezultat i politikat e buta të vendeve perëndimore si Shtetet e Bashkuara.”

Janë shtuar thirrjet për miratimin e ligjeve që lidhin të drejtat e njeriut mke aktivitetin tregëtar të Kinës në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu flitet edhe për legjitimitetin e qeverisë aktuale në Kinë, për të cilën aktivistët thonë se nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së popullit. Xiao Qiang është me gazetën “China Digital Times”.

“Sunduesit, kryesisht diktatorët, përdorin nacionalizmin dhe ekstremizmin për mbrojtjen e tij, madje krijimin e krizave dhe çështjeve të jashtëme si dhe konfliktet për të forcuar mbështetjen e brendëshme dhe represionin.”

Duke folur para vizitës së zotit Xi në Shtetet e Bashkuara, Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u shpreh:

“Kina do të përcjellë një mesazh të qartë për qeverinë dhe publikun amerikan dhe mbarë botën se Kina, si një vend i rendësishëm në Lindje me një histori 5 mijë vjeçare, do t’i qendrojë besnike rrugës së saj në ndërtimin e një vendi socialist me karakteristikat e veta.”

Kina ka hedhur poshtë gjithnjë çdo kritikë ndaj të drejtave të njeriut, duke i quajtur ato ndërhyrje në punët e brendëshme të atij vendi.

XS
SM
MD
LG