Lidhje

Politika e jashtme amerikane në 2013-tën


2013-a ishte një vit i vështirë për Presidentin Barack Obama për sa i përket politikës së jashtme. Nga lufta civile e Sirisë, tek trazirat në Egjipt, bisedimet mbi programin bërthamor me Iranin dhe menaxhimi i marrëdhënieve me Kinën dhe Rusisë, duket qartë se cilat do të jenë sfidat globale me të cilat do të përballet presidenti Obama për vitin 2014.

Presidenti Obama u përball me një numër çështjesh të politikës së jashtme gjatë vitit 2013 – nga debatet rreth përgjigjes së tij ndaj sulmit me armë kimike të qeverisë siriane në bisedën telefonike me presidentin e ri iranian dhe negociatat për marrëveshjen bërthamore.

Ai u takua me udhëheqësin kinez, vizitoi Afrikën, dhe nderoi kujtimin e Nelson Mandelës.

Por pozita e tij u dëmtua nga njoftimet rreth përgjimeve elektronike nga agjencitë amerikane të zbulimit, të cilat shkaktuan tensione me aleatë kryesorë të Amerikës.
Zoti Obama mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të grupit të njëzetëshes në Rusi, por anuloi një takim zyrtar me Presidentin Vladimir Putin.

Në fjalimin që mbajti në Kombet e Bashkuara në shtator, ai e pranoi atë që ai e quajti pakënaqësi ndaj angazhimit global të Amerikës, por tha se mosangazhimi do të ishte gabim:

“Besoj se Amerika duhet të mbetet e angazhuar për të mirën e sigurisë së vet, por edhe për të mirën e botës”.

Daniel Serwer i Fakultetit të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, thotë se në Siri zoti Obama siguroi një marrëveshje për zhdukjen e armëve kimike pa një ndërhyrje ushtarake, por shton ai, ekzistojnë implikime të tjera.

“Ekziston një dominim në rritje i ekstremistëve mes opozitës, që do të përbënin një problem shumë serioz për ne nëse bie regjimi i Bashar al-Assadit. Në një rast të tillë do të përballeshim me fqinjë dhe struktura shtetrore të pasigurta si në Irak, Jordani, Turqi dhe Liban”.

Heather Conley e Qendrës për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se nuk dihet me siguri nëse zoti Obama do të ketë mundësi të përqendrohet në politikën e jashtme.

“Me skandalin e përgjimeve nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, reformën e kujdesit shëndetësor dhe mbylljen e qeverisë, shumë udhëheqës botërorë janë të shqetësuar nëse Presidenti Obama mund të kapërcejë sfidat e politikës së brendshme, për t’iu kthyer çështjeve ndërkombëtare”.

Në vitin 2014, rritmi i tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani do të intensifikohet.
Zonja Conley thotë se amerikanët dhe bota do të presin nga zoti Obama që të qartësojë arritjet dhe koston e këtij konflikti të gjatë dhe të përgjakshëm.

“Ekuilibri i brishtë mes objektivave fillestare dhe kostos së kësaj lufte duhet të jetë pjesë e një debati shumë delikat jo vetëm në vend por edhe në arenën ndërkombëtare”.

Një anketë e kohëve të fundit e qendrës kërkimore Pew arriti në përfundimin se mes amerikanëve ka rënë mbështetja për një angazhim nëpër botë, një sfidë kjo për besimin e zotit Obama në rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara.

“Në një farë mënyre zoti Obama fajësohet për atë që shikohet si rënie e ndikimit amerikan në botë. Unë mund t’ju them se rënia e ndikimit të Amerikës nëpër botë nuk ka rënë po të pyesësh njerëz në vende të tjera. Ka shumë vende në botë, ku ndikimi amerikan është shumë i madh”.

2014 do të sjellë më shumë sfida, ndërsa vazhdojnë negociatat me Iranin, një konferencë e organizuar nga Kombet e Bashkuara për paqen në Siri është caktuar për në janar dhe Uashingtoni përballet me marrëdhëniet e pasigurta me Afganistanin, Pakistanin, Kinën dhe Rusisë.

XS
SM
MD
LG