Rebelët Huthi në kryeqytetin e Jemenit kanë marrë makinat e ambasadës amerikane pasi diplomatët amerikanë u larguan nga ky vend duke mbyllur ambasadën.
Rrjeti CNN njoftoi se makinat u morrën nga aeroporti në Sana.
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca mbyllën ambasadat në Jemen pas përkeqësimit të situatës atje.
Departamenti i Shtetit tha të martën në mbrëmje se personeli i ambasadës amerikane është larguar nga kryeqyteti i Jemenit, Sana'a, ndërsa Britania njoftoi sot herët se personeli i saj është tërhequr. Franca do ta mbyllë ambasadën e saj të premten.
"Veprimet e njëanshme të kohëve të fundit, e ndërprenë procesin e tranzicionit politik në Jemen, duke krijuar rrezikun se dhuna do të kërcënonte jemenasit dhe komunitetin diplomatik në Sana'a", tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki në një deklaratë.
"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë plotësisht të angazhuara në mbështetjen e jemenasve që punojnë për një Jemen paqësor, të begatë dhe të bashkuar. Ne do të shqyrtojmë alternative për kthimin në Sana’a kur të përmirësohet gjendja në terren”.
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca paralajmëruan qytetarët e tyre të mos udhëtojnë në Jemen dhe ata që janë në vend, të largohen.
Jemeni është përfshirë nga trazira politike muajt e fundit. Muajin e kaluar rebelët shi’itë Houthi morrën nën kontroll pallatin presidencial duke detyruar presidentin Abd Rabuh Mansour Hadi dhe kabinetin e tij të jepte dorëheqjen. Javën e kaluar forcat rebele shpërndanë parlamentin dhe krijuan një këshill të ri presidencial.