Lidhje

Yiannopoulos jep dorëheqjen nga “Breitbart News”


Milo Yiannopoulos, redaktor i faqes së internetit me pikëpamje të ekstremit të djathtë “Breitbart News”, dha dorëheqjen të martën për komente në të cilat dukej se ai po mbronte pedofilinë. Yiannopoulos është një mbështetës i fortë i Presidentit Trump dhe në fillim të këtij muaji Universiteti i Kalifornisë në Berkley anuloi një fjalim të tij pas protestave të dhunshme të studentëve.

Një video e vitit të kaluar e Milo Yiannopoulosit e publikuar këtë javë, tregon redaktorin e faqes së internetit “Breitbart News” duke thënë se ai nuk sheh ndonjë problem tek marrëdhëniet seksuale mes burrave dhe adoleshentëve që ende nuk kanë mbushur 18 vjeç.

Yiannopoulos të martën shprehu keqardhje para gazetarëve për atë që ai e quajti një "zgjedhje të gabuar të fjalëve", duke pranuar se ai ishte abuzuar seksualisht kur ishte i mitur.

"Përvoja ime si një viktimë më bëri të besoj se unë mund të them pothuaj çdo gjë mbi këtë temë, sado skandaloze që mund të jetë. Por unë e kuptoj se sarkazma ime homoseksuale britanike, e shoqëruar me provokime dhe humor mund të shihet nga të tjerët si një mungesë respekti dhe kujdesi për viktimat e tjera, apo edhe më keq, siç është raportuar në disa media. Jam i tmerruar nga përshtypja që është krijuar", tha ai.

Yiannopoulos është një mbështetës i zëshëm i Presidentit amerikan Donald Trump. Ai është gjithashtu një aktivist provokues në internet dhe u ndalua përkohësisht vitin e kaluar nga rrjeti social Twitter, pasi udhëhoqi një fushatë kundër komedianes afrikano-amerikane, Leslie Jones, i cila pati një rol në komedinë e vitit 2016, "Ghostbusters".

Universiteti i Kalifornisë në Berkeley anuloi një fjalim të Yiannopoulosit në fillim të këtij muaji, pasi protestat kundër tij u shoqëruan me akte të dhunshme.

Akuzat e fundit po i kushtojnë Milo Yiannopoulosit edhe në angazhime të tjera, jashtë rolit të tij në Breitbart. Botuesi “Simon and Schuster”, tha të hënën se ka anuluar planet për të botuar librin e tij të ri, “Dangereous”, dhe Sindikata e Konservatorëve Amerikanë tërhoqi ofertën që i kishte bërë që të fliste në konferencën e saj këtë javë.

Disa nga kritikët e tij thonë se ai nuk është asgjë më shumë se sa një mashtrues dhe sharlatan.

XS
SM
MD
LG