Lidhje

Ylli televiziv Oprah del në pension këtë muaj


Ylli televiziv Oprah del në pension këtë muaj
Ylli televiziv Oprah del në pension këtë muaj

Moderatorja televizive Opra Uinfri, një nga personalitetet më të fuqishme dhe më të pasura në Shtetet e Bashkuara, pritet të dalë në pension pasi ka drejtuar për 25 vjet një nga emisionet më të dalluara në vend. Epizodi i fundit i programit Oprah Winfrey Show u transmetua më 25 maj. Programi i Opras, i pari emision komunikues në shkallë kombëtare i drejtuar nga një afrikano-amerikan, filloi të transmetohej në shtator 1986. Që nga ajo kohë, Opra ka ndërtuar një perandori të medias – dhe një markë të veten – që përfshin edhe rrjetin televiziv kabllor që nisi punën në fillim të këtij viti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kris Simkins, përgatiti këtë kronikë mbi punën e moderatores Uinfri dhe mënyrën sesi ajo krijoi lidhjen me audiencën e saj.

Ishte një mënyrë e merituar për të shënuar daljen në pension për Opra Uinfrit. Atë e duartrokitën 13 mijë fansa në Çikago dhe i kënduan një grup artistët të mirënjohur, ndërsa moderatorja Uinfri po i jepte fund punës 25-vjeçare si drejtuese e një emisioni komunikues televiziv.

“Unë jam Opra Uinfri. Mirësevini në edicionin e parë kombëtar të emisionit Oprah Winfrey Show”.

Opra transformoi televizionin amerikan me emisionin e saj popullor që filloi në vitin 1986. Programi u rangua më lart se cilido emision komunikues apo talk show në historinë televizive, duke arritur 42 shikues çdo javë në më shumë se 150 vende. Vitin e kaluar, Opra tha se ishte koha për të ecur përpara.

“Këto vite me ju, shikues [të dashur], kanë pasuruar jetën time tej çdo mase”.

Ndërsa fansat po ndiqnin emisionet e saj të fundit, ata shprehën mendimet e tyre rreth asaj që e bëri Opran aq të rëndësishme.

“Dashamirësia që ajo i dha të gjithëve. Mundësia që ajo i dha të gjithëve. Dashuria që ndau me të gjithë ne”.

“Ajo është gjithmonë reale. Ajo është thjesht një person real, një person i vërtetë”.

“Ajo na ka dhënë shpresë dhe ka qenë me të vërtetë pozitive në jetën e kaq shumë njerëzve, përfshirë edhe veten time”.

Oprah ishte në gjendje të lidhej me shikuesit e saj, duke folur për disa nga çështjet e saj personale – përjetimin e abuzimit seksual në rini, varfërinë dhe, më vonë, problemet me peshën e saj. Ajo gjithashtu u mor me tema kundërthënëse si abuzimi i fëmijëve, sida dhe racizmi.

Kritiku i medias, Ron Sajmon:

“Edhe nëse nuk e ke ndjekur emisionin e saj, ke qenë i vetëdijshëm për çfarë po flitej në emision. Kjo ka qenë pjesë e bisedave në mbarë vendin”.

Autorja Kiti Kelli thotë se rrugëtimi i Opras nga një e kaluar si qytetare e rëndomtë drejt një karriere si yll televiziv është tejet mbresëlënës.

“Ajo është gruaja më e famshme në botë. Në fakt, revista Good Housekeeping botoi një sondazh që tregon se ajo është gruaja më e adhuruar në planet”.

Jeta e saj e hershme nuk ishte përcaktues i suksesit. Ajo u rrit në varfëri në Misisipi, në kohën e segregacionit racor, por arriti të kapërcejë pengesa të shumta. Ajo luajti në disa filma, por emisioni i saj televiziv i dha famën që gëzon sot.

Ajo u bë gruaja e parë afrikano-amerikane që u rradit nga Revista Forbes në listën e miliarderëve. Dhe ajo ndihmoi shumë shkrimtarë të ndërtojnë karrierën e tyre nëpërmjet klubit të saj të librit.

Ndër vite, ajo përgatiti shfaqjen “Color Purple” në Broaduej dhe krijoi një perandori të medias, përfshirë edhe revistën e vet.

Opra u bë e njohur për bujarinë e saj. Ajo u ka dhënë makina dhe dhurata të tjera pjesëtarëve të audiencës.

Dhe në vitin 2007, ajo dhuroi 40 milion dollarë për të ndërtuar një shkollë për vajza të varfra në Afrikën e Jugut. Ajo ka mbledhur fonde për hapjen e 60 shkollave në mbi 13 vende.

“Unë jam këtu për shkak të bindjeve të mia personale për Barak Obamën dhe për atë që e di se ai mund të bëjë për Amerikën”.

Në përpjekjen e parë në politikë, ajo përdori fuqinë e saj si yll televiziv për të mbështetur Barak Obamën në një moment kyç në fushatën e tij për president.

Me përfundimin e emisionit të saj televiziv, Opra thotë se po përqendrohet në rrjetin e saj kabllor, i cili filloi në janar. Ajo shpreson që rrjeti të tërheqë shikuesit e shumtë që ajo ka tërhequr gjatë viteve.

XS
SM
MD
LG