Lidhje

Sfidat e imigrantëve hispanikë në një qytezë në Pensilvani

  • Bill Rodgers

Intensifikimi i përpjekjeve të administratës së presidentit Trump për zbatimin e ligjeve të imigracionit po ndikon në shumë komunitete, kryesisht hispanike në mbarë Shtetet e Bashkuara, përfshirë një qytet të vogël rural në Pensilvaninë juglindore, fermat e të cilit janë burim punësimi. Jork Springs, në dekadat e fundit ka evoluar nga një komunitet tradicional, i dominuar nga të bardhët, në një komunitetet ku pothuajse gjysma e popullsisë prej 800 banorësh tani është hispanike, kryesisht nga Meksika.

Në Ditën e Nënës, një festë në të cilën amerikanët nderojnë punën dhe rolin e nënave, komuniteti i qytetit Jork Springs organizoi në qendrën e zjarrëfikësve një drekë për mbledhje fondesh.

Por atje nuk ishin të pranishëm një pjesë e konsiderueshme e banorëve, hispanikët.

Zëvendës shefi i Departamentit të Zjarrfikësve, Robert Hawk, dëshiron që ata të marrin pjesë, dhe ndoshta edhe të bëjnë punë vullnetare. Por ai e di nga përvoja se shumë prej hispanikëve pa dokumente frikësohen nga kontakti me autoritetet.

"Shpesh ne shkojmë për të ndihmuar në aksidentet me makinë dhe kur arrijmë në vendin e ngjarjes nuk shohim asnjeri atje. Ata ikin nga vendi i ngjarjes, sepse mendojnë se po i nxjerrin telashe vetes."

Jork Springs është i ndryshëm në krahasim me shumë qytete të tjera të vogla të Pensilvani, për shkak të numrit të madh të hispanikëve.

Dikur një rrugë kryqëzuese e shekullit të 19-të dhe destinacion për në burimet me vlera kuruese, qyteti tani është ndryshuar nga zgjerimi i fushave me pemishte që ka shtuar nevojën për krahë pune.

"Mendoj se e njohim këtë person. Po, e njohim edhe atë."

Cathay Snyder kryeson shoqatën historike të Jork Springs-it. Ajo thotë se punëtorët emigrantë hispanikë në fillim u shfaqën vetëm në stinët e vjeljeve, por me kalimin e kohës disa prej tyre vendosën të qëndronin këtu.

"Ne shohim një ndryshim në Jork Springs, ku një numër gjithnjë e më i madh emigrantësh po qëndrojnë këtu. Burrat, baballarët, mund të punojnë në pemishte, ndërsa gratë e tyre tani po gjejnë punë në disa nga fabrikat e kësaj zone."

Sot, ai që dikur ishte një dyqan me mallra pesë dollarësh, tani është zëvendësuar nga dyqani meksikan Lua. Megjithatë, pikërisht pranë këtij dyqani kohët e fundit forcat e zbatimit të ligjeve të imigracionit bënë disa bastisje që e kanë frikësuar komunitetin, thotë pastori Ben Leese.

"Statusi i tyre është i pazgjidhur, dhe gjëja më e frikshme për mua dhe për shumë njerëz këtu, është mundësia që një ditë fëmijët të kthehen nga shkolla dhe të mos i gjejnë më në shtëpi prindërit e tyre, pasi ata mund të jenë kapur nga autoritetet."

Në shkollën “Bermudian Spring”, fëmijë dhe prindër janë duke marrë pjesë në një garë për mbledhje fondesh.

Zyrtarët dhe mësuesit janë krenarë për diversitetin e shkollës.

Edhe banorja e Jork Springs-it, Sandra Morales, që thotë se tre fëmijët e saj janë duke kaluar mirë në shkollë, është krenare për këtë. Por ajo ka frikë për burrin e saj, i cili nuk ka dokumente.

"Ata (autoritetet) janë përqëndruar kryesisht tek furgonat që transportojnë këta njërëz nga shtëpia në punë. Unë dhe fëmijët e mi jetojmë me këtë frikë."- thotë ajo.

"Edhe fëmijët në çerdhe janë të frikësuar, sepse kanë dëgjuar që po ndodhin këto gjëra dhe është për të ardhur keq për ta.”- thotë Brooke.

Liliana Arias, banore e Jork Springsit prej 17 vitesh, ankohet për atë që po ndodh në qytetin e saj.

"Sakrificat që këta njerëz po bëjnë për të ardhur në këtë vend janë të mahnitshme. Disa madje vdesin duke ecur në shkretëtirë, ju e dini. ...Ata kanë aq shumë për t’i ofruar popullit amerikan."

Një kamion që ofron ushqim meksikan vjen disa netë në javë në qytet. Banorët e lindur në këtë qytet dhe emigrantët futen në radhë për të blerë ushqimin e shijshëm, një moment i shoqërimit mes dy grupeve në një qytet relativisht të qetë, kultura e të cilit mund të ndryshojë përsëri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG