Lidhje

Zgjedhjet partiake për garën elektorale për Kongres


Shumica e zgjedhjeve partiake në Shtetet e Bashkuara kanë mbaruar, por ka ende gara që pritet të zhvillohen në një numër shtetesh si Florida, Xhorxhia dhe Uajoming. Kështu që, fushata e kandidatëve nga të dyja partitë, e demokratëve dhe republikanëve, vazhdon ndërsa ata kërkojnë mbështetje nga votuesit për kandidatët e partive të tyre për zgjedhjet e mesmandatit në nëntor kur amerikanët votojnë për të gjithë përbërjen e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e vendeve në Senat.

Demokrati Kirill Reznik është anëtar i Dhomës së Delegatëve të Merilendit. Kandidati i lindur në Ukrainë, sapo fitoi në zgjedhjet brenda Partisë Demokrate të Merilendit. Ai pritet të zgjidhet në nëntor për një mandat tjetër katërvjeçar, nëse ai nuk ka kundërshtarë republikanë për të kandiduar në zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit.

Reznik troket derë më derë, shpërndan fletushka dhe bisedon me votuesit – ai po ndjek një praktikë tradicionale të fushatës zgjedhore amerikane.

“Kur një kandidat troket në derën time dhe prezantohet, unë mund ta pyes për programin politik. Dhe ai ose ajo fillon edhe shpjegon. Kjo është e mrekullueshme; kjo është demokracia” thotë një votuese.

Zgjedhjet partiake mbahen në mënyrë që votuesit nga secila palë të zgjedhin kandidatin që dëshirojnë për zgjedhje të përgjithshme. Nëpërmjet procesit, përzgjidhet një kandidat nga secila parti për një post – si për shembull atë të sherifit, ligjvënësit shtetëror apo federal ose guvernatorit.

“Është shumë e rëndësishme pjesëmarrja në votim. Sepse votuesi po zgjedhh njerëz që do të kandidojnë në zgjedhjet e përgjithshme. Pra, zakonisht, zgjedhjet partiake janë edhe më të rëndësishme për mënyrën si drejtohet një komunitet, një qeverisje lokale, si do të jenë taksat, cilat fonde do të përdoren për shkolla dhe për sigurinë publike”.

Merilendi është një shtet kryesisht demokrat dhe Reznik konkuroi me gjashtë demokratëve të tjerë në garë. Për të, kontakti personal me votuesit është çelësi.

“Nuk mbledh fonde të mjaftueshme për të dalë në televizion. Dhe plus, kjo nuk do të ndihmonte, sepse kam një distrikt të vogël. Kështu që, ose mund t’u dërgoj fletushka në postë, ose të trokas në dyert e tyre, ose t’i marr në telefon. Pas ca kohe, ajo i bezdis njerëzit. Prandaj përfitoj nga mundësia e kontaktit direkt. Unë flas me ta, ata binden, dhe pastaj shkojnë të bisedojnë me familjet dhe fqinjët e tyre rreth kandidimit tim”.

Shumica e zgjedhjeve partiake të këtij viti mbaruan, por një pjesë e vogël e shteteve do t’i mbajnë zgjedhjet në gusht dhe shtator – vetëm disa javë para zgjedhjeve të përgjithshme në nëntor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG