Lidhje

Karolina e Veriut, shtet vendimtar për zgjedhjet


Zgjedhjet për Kongresin amerikan do të mbahen më 4 nëntor dhe shumica e analistëve politikë parashikojnë se republikanët kanë shanse shumë të mira për të fituar shumicën në Senat, që tani kontrollohet nga demokratët. Një shumicë republikane si në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve mund të ketë ndikim të madh në dy vitet e fundit në detyrë të presidentit Barack Obama. Por cilat janë çështjet që motivojnë votuesit në këtë vit zgjedhor? Materiali në vazhdim sjell opinione nga Karolina e Veriut, një nga shtetet me më shumë konkurrencë politike në vend.

Është koha e korrjes në Karolinën e Veriut. Ditët po shkurtohen, në fusha ka duhan dhe punëtorët e fermave po nxitojnë për të nxjerrë të korrat e tyre në treg.

Jo shumë larg prej aty, në qytetin Wilson, po kryhet një proces korrjeje pak ndryshe: ai për votues.
Punën për të regjistruar sa më shumë votues të pakicave e kryeson kleriku William Barber, president për Karolinën e Veriut i Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë.

"Të gjithë amerikanët duhet të kenë të drejtën e votës – të papenguar, të pashkurtuar, të pamohuar."

Kleriku Barber shpreson të mobilizojnë votuesit në emër të senatorit Kay Hagan, një demokrat që përballet me një sfidë të fortë nga republikani Thom Tillis.

"Kjo lëvizje përqëndrohet intensivisht tek vlerat tona më të thella morale nga shkrimet e shenjta të shumë besimeve dhe tek vlerave tona më të thella morale nga Kushtetuta për të sfiduar ekstremizmin që po përpiqet të na çojë në një kthim prapa, në të gjithë Amerikën."

Aktivistët konservatorë janë gjithashtu duke u përgatitur për zgjedhjet, duke përfshirë aktivistin e grupit Tea Party të Wilsonit, Joel Killion.

Ai përqendrohet tek pakësimi i rolit të qeverisë.

"Liberalizmi apo progresivizmi, në kuptimin klasik, qoftë edhe duke shkuar pas në vitet 1890, kur filloi Periudha Progressive, janë në të vërtetë një helm që besoj se hyri në vend dhe kultivoi idenë e një qeverie burokratike, të madhe, paternaliste."

Në një treg në kryeqytetin e shtetit, Raleigh, votuesit lanë për pak çaste perimet organike dhe biskotat e sapopjekura për të folur për çështjet që u interesojnë në zgjedhjet e ardhshme.

"Gjëja më e rëndësishme për mua do të ishte arsimi. Unë besoj se të gjithë fëmijët duhet të kenë një shans me arsim cilësor," thotë Caresha, një votuese.

"Çështjet lidhur me Irakun dhe vendet e tjera të huaja, pra, siguria kombëtare besoj se është një çështje e rëndësishme," thotë votuesi Ethan Hill.

"Për mua është ekonomia. Dhe siguria kombëtare. Këto janë dy gjëra të rëndësishme," shprehet Niki Morock, një tjetër votuese.

Një fluks të ardhurish në këtë shtet jugor, shumë nga veriu dhe pjesa qendrore e vendit, ka ndryshuar përbërjen politike të Karolinës së Veriut në vitet e fundit, thotë analisti John Davis.

"Kjo gjë na ka ndryshuar. Na ka shndërruar në një shtet me konkurrencë të fortë politike, një fushë-beteje me forca të barabarta, me shumë më tepër të moderuar sesa shteti tipik konservator i 30 vjetëve më parë."

Gjatë viteve të fundit, Karolina e Veriut është bërë një fushë beteje politike e rëndësishme për zgjedhjet presidenciale amerikane. Presidenti Obama e fitoi këtë shtet në vitin 2008, por dy vjet më parë ai humbi ngushtë ndaj republikanit Mitt Romney. Kjo bën që Karolina e Veriut të jetë edhe një herë një shtet kryesor për të dyja palët, në garën presidenciale të vitit 2016.

XS
SM
MD
LG