Lidhje

Kandidatët republikanë për zgjedhjet e 2016s


Një anketë e re opinioni arrin në përfundimin se nuk ka ende një kandidat të vetëm republikan, që do të shihej si më i preferuari për të siguruar emërimin e Partisë Republikane për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell më shumë hollësi nga Uashingtoni.

Mund të duket herët për të menduar rreth zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara, por kjo nuk i ndalon ekspertët dhe anketuesit që të flasin për kandidatët e mundshëm.

Anketuesi i grupit kërkimor pranë Universitetit Quinnipiac, Peter Brown ka shqyrtuar disa prej kandidatëve të mundshëm republikanë dhe thotë se tani për tani gara mes këtyre kandidatëve është e hapur për cilindo.

“Ne arritëm në përfundimin se nuk ka një kandidat të vetëm që të dallohet nga të tjerët. Në fakt ka 5 kandidatë republikanë, të cilët sipas studimeve të deritanishme fitojnë nga 10 deri në 19 për qind të votave”.

Sipas anketës, senatori i Floridës, Marco Rubio kryeson grupin e kandidatëve republikanë me një mbështetje prej 19 për qind. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti Wisconsin, Paul Ryan pason me 17 për qind, Senatori nga Kentucky Rand Paul ka 15 për qind, guvernatori i Nju Xhërsit, Chris Christie, 14 për qind dhe ish guvernatori i Floridës, Jeb Bush, 10 për qind.

Zoti Brown thotë se shumica e votuesve republikanë kërkojnë një kandidat që do të fitonte në zgjedhjet e 2016-tës, pas humbjes në 2 zgjedhjet e fundit presidenciale, më 2008 dhe vitin e kaluar.

Shumica e kandidatëve të mundshëm presidencialë nga të dyja partitë politike nuk ka të ngjarë t'i shpallin synimet e tyre për zgjedhjet e 2016-tës deri pas zgjedhjeve për në Kongres të vitit të ardhshëm.

Eksperti politik në Universitetin Amerikan, Allan Lichtman thotë se republikanët po përqëndrohen tani në ruajtjen e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Tani për tani Partia Republikane është në një pozitë shumë të dobët. Shumë pak njerëz e mbështesin këtë parti prandaj republikanët duhet të bëjnë më shumë se sa thjesht të ruajnë disa distrikte në Kongres”.

Anketuesi Peter Brown thotë se Universiteti Quinnipiac do të njoftojë rezultatet e një ankete të re muajin e ardhshëm lidhur me kandidatët e mundshëm demokratë për në zgjedhjet e 2016-tës, meqë Presidenti Barack Obama nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë.

Sipas një ankete të rrjetit televiziv ABC dhe gazetës Washington Post të zhvilluar në janar, 67 për qind e të anketuarve kishin një mendim të favorshëm për zonjën Hillary Clinton, e cila ka qënë sekretare shteti, senatore dhe zonjë e parë e Amerikës.

Një ankete e re e Kolegjit Marist arrin në përfundimin se, nëse kandidon në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, zonja Clinton do të fitonte ndaj shumicës së kandidatëve republicanë, me përjashtim të guvernatorit të Nju Xhërsit, Chris Christie, i cili gëzon një mbështetje prej vetëm 3 për qind më pak se sa zonja Clinton, 46 me 43 për qind.

Edhe nën presidenti Joe Biden mund të jetë i interesuar për të kandiduar, ndërkohë që kjo garë do të tërheqë edhe fytyra të reja, mes tyre guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo dhe guvernatori i shtetit Maryland, Martin O’Malley.
XS
SM
MD
LG