Lidhje

Analistët: Pjesëmarrja e sërbëve në zgjedhje, e rëndësishme


Analistët thonë se pjesëmarrja e pakicës serbe në zgjedhjet komunale në Kosovë është e rëndësishme për vendin dhe do të jetë një test për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar më 19 prill të këtij viti. Analistët amerikanë Daniel Serwer, Michael Dzeidzic dhe Obrad Kesic shprehën pikëpamjet e tyre në lidhje me zgjedhjet komunale, dialogun Kosovë-Serbi dhe ndikimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në proceset politike në Kosovë dhe Serbi. Kolegu Festim Gashi bisedoi me analistët dhe përgatiti këtë material.

Analistët: pjesëmarrja e sërbëve në zgjedhje, e rëndësishme
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:42 0:00

Nga suksesi i zgjedhjeve komunale në veri të Kosovës përfitojnë Kosova, Serbia dhe komuniteti serb në veri të Kosovës, thotë analisti i çështjeve të Ballkanit Daniel Serwer. Ai tha se niveli i pjesëmarrjes së sërbeve në zgjedhjet komunale do të jetë përcaktues në suksesin e tyre.

“Niveli i pjesëmarrjes së sërbëve në këto zgjedhje do të jetë një tregues i rëndësishëm nëse do të tejkalohen problemet në veri apo do të vazhdojmë të kemi probleme të mëdha. Është me rëndësi që Prishtina dhe Beogradi të nënvizojnë për sërbët në veri dhe në jug të lumit Ibër se niveli i tyre i ndikimit në shoqëri varet nga pjesëmarrja e tyre në këto zgjedhje sepse shumica e përgjegjësive të qeverisjes në Kosovë janë në nivelin komunal. Nëse pjesëmarrja e tyre do të jetë në mes të 20 dhe 30 përqind apo më e lartë, do të ishte një tregues shumë i mirë”.

Ndërsa Obrad Kesic, drejtor i Zyrës për Bashkëpunim, Tregti dhe Investime të Republikës Serbe të Bosnjës, i cili shprehu pikëpamjet e tij personale për këtë çështje, tha se është ende herët të thuhet se çfarë ndikimi do të ketë vrasja e anëtarit të Eulexit në pjesëmarrjen e sërbëve në zgjedhjet komunale në veri. Ai tha se nëse ky është një incident i izoluar atëherë nuk ka shumë të ngjarë të ketë një ndikim të madh.

“Tashmë shumica e sërbëve në veri janë të pavendosur në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhje. Prandaj kjo çështje nuk do të ketë ndikim në mënyrën se si sërbet do të vendosin për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale në Kosovë. Por nëse do të ketë incidente tjera të dhunshme atëherë shanset për ndikimin e tyre në pjesëmarrjen e sërbëve në zgjedhje do të jenë më të mëdha”.

Ndërsa analisti Daniel Serwer tha se vrasja e anëtarit të EULEX-it është një sulm kundër marrëveshjes së 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

“Sulmi mbi EULEX-in është në të vërtetë një sulm kundër marrëveshjes dhe unë pres që Beogradi dhe Prishtina të reagojnë duke e mbrojtur marrëveshjen dhe duke shtuar edhe më tej përpjekjet për zbatimin e saj. Mendoj se kemi të bëjmë me një situatë ku të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina duhet të jenë të bashkuara në dënimin e këtij rasti.”

Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi që ende është duke vazhduar, analisti i çështjeve të sigurisë Michael Dzeidzic thotë se ky proces politik ka shmangur petencialin për konflikt.

Arritja e marrëveshjes është një hap i rëndësishëm përpara dhe mundësia për konflikt në mes të Kosovës dhe Serbisë është hequr për shkak të këtij procesi të suksesshëm politik”.

Megjithatë, zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun në mes të Beogradit dhe Prishtinës është i ngadalshëm dhe ka hasur në shumë vështirësi. Zoti Kesiç mendon se një hap i rëndësishëm në intensifikimin e procesit, normalizimin dhe stabilizimin e situatës në veri është përfshirja e sërbëve të Kosovës në dialog.

“Tani ata nuk kanë zgjidhje tjetër pëveç pranimit të marrëveshjeve të arritura. Ata nuk pyeten shumë në lidhje me procesin e bisedimeve dhe zbatimin e marrëveshjeve. Prandaj është e vështirë që ata t’i pranojnë ato si negociata dhe marrëveshje që janë në interesin e tyre. Prandaj, angazhimi i sërbëve të veriut dhe jugut në procesin e dialogut më shumë se ç’është bërë deri më tani është shumë i rëndësishëm”.

Zoti Kesiç tha se procesi negociator është përparësi e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe trysnia që ushtrohet mbi qeveritë në Beograd dhe Prishtinë i detyron ato t’i kushtojnë shumicën e vëmendjes zgjidhjes së këtij problem e jo problemeve që janë më të rëndësishmë për shumicën e qytetarëve si të ardhurat dhe vendet e punës.

“Dhe ne tani kemi një situatë ku në fund mbështetja për këto qeveri do të pakësohet pasi nuk do të ketë një zhvillim të madh ekonomik, nuk do të ketë rimëkëmbje të shpejtë, dhe duke marrë parasysh gjendjen e tanishme ekonomike në Evropë, njerëzit nuk do të jetojnë më mirë në rajonin e Ballkanit. Është e vështirë të parashikosh një të ardhme të ndritur për rajonin”.

Tre analistët thonë se Kosova dhe Serbia kanë probleme të tjera të mëdha si korrupsioni dhe krimi i organizuar. Zoti Dzeidzic thotë se këto çështje duhet të trajtohen më seriozisht.

“Shqetësimi tjetër që kam për Kosovën, në fakt edhe për këtë pjesë të Ballkanit përfshirë Serbinë, është mundësia e rënies së shtetit në duar të elementeve kriminale. Pra kur ardhja në pushtet lidhet me pasuri të fituara në mënyrë të paligjshme. Dhe natyrisht një shembull i tillë ekziston në veri të Kosovës ku ky kërcënim vazhdon të jetë i pranishëm. Kjo çështje duhet të trajtohet më seriozisht, duhet të jetë në axhendë”.
Zoti Dzeidzic tha se presioni për luftën kundër këtyre fenomeneve duhet të vijë nga populli, shoqëria civile dhe mediat në Serbi dhe në Kosovë.

Ndërsa zoti Serwer thotë se korrupsioni dhe krimi i organizuar mund të jetë pengesë për integrimet evropiane. Ai thotë se këto çështje duhet të trajtohen pas zgjedhjeve.

“Çështja e krimit të organizuar dhe korrupsionit është kritike pas mbarimit të zgjedhjeve të nëntorit dhe shpresoj të shohim masa serioze në këtë drejtim”.

Tre analistët janë dakord se nga pikëpamja afatëgjatë dialogu i tanishëm mes Kosovës dhe Serbisë do çojë në arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe integrimin e tyre një ditë në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG