Lidhje

Zgjedhjet në SHBA: Si i bën media parashikimet për fituesit


Voters cast their ballots at privacy booths during early voting at the Brooklyn Museum in New York, Oct. 27, 2020.
Voters cast their ballots at privacy booths during early voting at the Brooklyn Museum in New York, Oct. 27, 2020.

Ndërsa amerikanët përgatiten të shkojnë në qendrat e votimit këtë 3 nëntor, mediat në SHBA do të raportojnë numërimin e votave, që do të përcaktojë fituesit e më shumë se 7,000 garave, ku përfshihen ato për Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin, për poste shtetërore dhe poste legjislative lokale.

Në Shtetet e Bashkuara, mediat e vëzhgojnë numërimin e votave në kohë reale dhe përdorin një larmi informacionesh për të përcaktuar se kur mund ta deklarojnë fituesin në secilën garë. Informacione të tilla janë numri i përgjithshëm i votave, pjesëmarrja në votime dhe numri i votave ende të pa numëruara në secilën zonë.

Ja se si funksionon dhe se çfarë metodash përdorin mediat për të garantuar se nuk do të bëjnë gabime:

Kush i shpall fituesit në zgjedhje?

Zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve janë ata që çertifikojnë numërimin e votave, por shumë kohë para se të numërohet çdo fletë votimi, media amerikane përdor një larmi burimesh dhe të dhënash për të parashikuar fituesit. Duke përdorur elementë të tillë si totali i votave të papërpunuara dhe teknika të ndryshme statistikore, mediat, të cilat i kanë mbuluar zgjedhjet presidenciale amerikane që nga viti 1848, i kanë parashikuar me shumë sukses fituesit e garës, por jo në mënyrë të përsosur.

Zgjedhjet 2020, Filadelfia
Zgjedhjet 2020, Filadelfia

Si i numërojnë mediat votat e hedhura natën e zgjedhjeve?

Votat mbahen shënim për secilin qark nga Associated Press, një agjenci lajmesh jofitimprurëse e cila përdor rrjetin e saj kombëtar prej më shumë se 4,000 reporterësh natën e zgjedhjeve për të regjistruar totalin e votave të hedhura, që raportohen nga nëpunësit e qarqeve dhe zyrtarë të tjerë lokalë. AP gjithashtu mbledh informacion nga faqet e internetit të shteteve, ku postohen të dhënat për votat e hedhura. Gazetarët e kalojnë këtë informacion në operacionin e numërimit të votave të AP, ku analistët marrin vendime se për cilat gara mund të jepet një parashikim i fituesit.

Kush e bën numërimin?

Punonjësit e zgjedhjeve lokale mbledhin votat në secilën zonë. Si dhe kur numërohen fletët e votimit, kjo përcaktohet nga ligjet lokale dhe shtetërore. Për shembull, disa shtete si Pensilvania dhe Uiskonsin përcaktojnë që asnjë fletë votimi të mos numërohet deri në ditën e zgjedhjeve, edhe nëse ato kanë mbërritur në zyrat e zgjedhjeve javë më parë. Sapo numërohen votat në një zonë, punonjësit e zgjedhjeve ia kalojnë informacionin zyrtarëve të qarkut dhe të shtetit, të cilët më pas ia japin atë gazetarëve dhe publikut.

Si e përdorin gazetarët totalin e votave në nivel lokal?

Gazetarët e AP në të gjithë vendin ua dërgojnë rezultatet njerëzve në qendrat zgjedhore të ngritura posaçërisht, ku ata i fusin në një sistem elektronik. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, këtë vit qendrat zgjedhore janë virtuale. Të gjitha votat e numëruara i nënshtrohen një serie kontrollesh dhe verifikimesh, duke përfshirë programet kompjuterike të cilat japin alarmin, nëse ka mospërputhje.

Kush i përcakton fituesit?

Në AP, një ekip i caktuar përcakton nëse ka informacion të mjaftueshëm për të deklaruar fituesin. Ekipi nuk shikon vetëm totalin e përgjithshëm të votave të hedhura, por merr parasysh edhe votat që do të hidhen më vonë, numrin e fletëvotimeve që kanë mbetur për të numëruar dhe vendin se ku janë hedhur votat që ende nuk janë numëruar.

Në këto zgjedhje, AP nuk po përdor të dhëna nga anketimet me njerëzit që sapo kanë votuar (exit polls), siç ka bërë në vitet e kaluara. AP thotë se nuk beson që të dhëna të tilla janë të efektshme kur një numër i madh njerëzish kanë votuar herët, si këtë vit.

Media të tjera, duke përfshirë rrjetet e mëdha televizive - ABC, CBS, CNN dhe NBC - vazhdojnë të përdorin të dhënat nga ‘exit polls’ për të bërë parashikimet e zgjedhjeve. Rrjetet përdorin gjithashtu ‘redaksi zgjedhore’ të ngritura posaçërisht për të parashikuar fituesit natën e zgjedhjeve.

Kjo do të thotë që organizata të ndryshme mediatike mund ta deklarojnë fituesin në kohë të ndryshme, duke përdorur modelet dhe të dhënat e tyre.

Votim në Ohajo
Votim në Ohajo

Si numërohen fletët e votimit kur janë kaq shumë njerëz që votojnë herët?

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumë më tepër amerikanë po votojnë herët këtë vit dhe shumë prej këtyre votave po hidhen me postë. Votimet me postë kërkojnë zakonisht më shumë kohë për t’u numëruar sesa ato të hedhura personalisht. Zyrtarët e zgjedhjeve duhet të hapin fletët e votimit, të sigurohen që një votues është i regjistruar dhe shpesh të verifikojnë nënshkrimin e tij.

Për shkak të kësaj, AP po parashikon, "numërime të zgjatura votash" në më shumë shtete sesa vitet e mëparshme, që mund të zgjasin ditë ose javë. Në 2018 AP krijoi sondazhin e saj të posaçëm, pikërisht për rastin nëse do të kishte një rritje të votave të hedhura para ditës së zgjedhjeve. Sondazhi, i quajtur AP VoteCast, merr parasysh deklarimin e atyre që kanë votuar herët si dhe të atyre që votojnë në ditën e zgjedhjeve dhe e ndihmon AP të faktorizojë votimin e hershëm në përllogaritjet e saj.

Sa e saktë është media në njoftimin e rezultateve?

Media ka qenë përgjithësisht e saktë në parashikimin e fituesve të zgjedhjeve. Por besueshmëria e tyre u dëmtua jashtëzakonisht shumë gjatë garës presidenciale të vitit 2000, kur shumica e mediave parashikuan para kohe, rreth orës 20:00 natën e zgjedhjeve, kandidatin Al Gore si fitues, pastaj pas orës 2 të mëngjesit shpallën fitues George W. Bushin. Më pas, ato hoqën dorë nga parashikimi, sepse në shtetin Florida filloi automatikisht rinumërimi i votave.

AP i numëron votat prej mbi 120 vjetësh dhe thotë se në vitin 2016 ajo ishte 99.8% e saktë në parashikimin e të gjitha garave zgjedhore dhe 100% në parashikimin e garave presidenciale dhe të kongresit për secilin shtet. AP e shpalli kandidatin Donald Trump fitues në orën 2:29 të mëngjesit më 9 nëntor 2016.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG