Lidhje

Ukraina voton për parlamentin e ri


Në Ukrainë sot po zhvillohen votimet për parlamentin e ri. Por, votuesit ukrainas nuk do të jenë në gjendje të votojnë në Krime, e cila është aneksuar nga Rusia, dhe në pjesë të Ukrainës lindore të kontrolluara nga separatistët. Zgjedhjet pritet t’i fitojë partia e presidentit Petro Poroshenko.

Këto janë zgjedhjet e para parlamentare që nga fillimi i protestave në rrugët e kryeqytet të vendit, Kiev, të cilat në shkurt detyruan ish presidentin Viktor Janukoviç të arratisej në Moskë, duke mundësuar ardhjen në pushtet të një udhëheqje pro-evropiane të drejtuar nga presidenti Petro Poroshenko.

“Ne shpresojmë se situata në Ukrainë do të përmirësohet dhe se autoritetet e reja do të bëjnë më të mirën për njerëzit. Ne shpresojmë që reformat e nevojshme më në fund do të realizohen dhe shpresoj se do t’i vijë fundi autoritetit të mëparshëm”, thotë Alla Malyuchenko, banore e Kievit.

Analistët thonë se partia e zotit Poroshenko pritet të fitojë pjesën më të madhe të votave në zgjedhjet e sotme, por është e paqartë nëse partia e tij do të jetë në gjendje e vetme ta formojë qeverinë, pa pasur nevojë të formojë një koalicion.

Megjithatë, votuesit nuk do të jenë në gjendje të votojnë në Krime, e cila është aneksuar nga Rusia, dhe në pjesë të Ukrainës lindore të kontrolluara nga separatistët.

Anketat tregojnë se shumica e ukrainasve mbështesin reformat ekonomike dhe demokratike, sidomos luftën ndaj korrupsionit, që eventualisht do të çojnë në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Një parlament që mbështet presidentin Poroshenko ka të ngjarë të përkeqësojë edhe më tej lidhjet me Moskën.

Kievi fajëson Moskën për mbështetjen e rebelëve pro-rusë në Ukrainën lindore në një konflikt në të cilin janë vrarë më shumë se 3,700 njerëz dhe i cili ka përkeqësuar problemet ekonomike të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG