Lidhje

Zgjedhjet paraprake në Nevada


Pas fitores së zgjedhjeve paraprake të republikanëve në shtetin verilindor të Nju Hempshërit dhe në atë juglindor të Karolinës së Jugut, miliarderi Donald Trump është favorit për të fituar edhe në shtetin perëndimor të Nevadës, ku të martën mbahen zgjedhjet paraprake.

Sondazhet e fundit tregojnë se zoti Trump kryeson ndaj rivalëve të tij republikanë me rreth 40 përqind mbështetje, ndërsa senatorët Marco Rubio dhe Ted Cruz pritet të jenë në garë të ngushtë për vendin e dytë pasi anketat tregojnë se ata kanë nga 20 përqind mbështetje secili.

Një paraqitje e mirë në Nevada do t’u japë kandidatëve një nxitje në përgatitje për javën e ardhshme, të ashtuquajturën Super e Marta, kur dhjetëra shtetet do të kenë zgjedhje në të njëjtën ditë. Pas këtyre votimeve, një e treta e shteteve do të ketë mbaruar zgjedhjet paraprake për president.

Senatori Rubio, i cili ndryshe nga senatori Cruz dhe biznesmeni Trump, ende nuk ka fituar në asnjë shtet, ka marrë mbështetje nga disa republikanë veteranë përpara votimit në Nevada, duke përfshirë edhe ish senatorin dhe ish-kandidatin presidencial Bob Dole.

Ndërkohë, Ted Cruz shkarkoi zëdhënësin e tij të fushatës për postimin në mediat sociale të një videoje të manipuluar, në cilën pretendohet në mënyrë të falsifikuar se Marco Rubio po fyente Biblën.

Donald Trump ka fituar në dy shtete radhazi, Nju Hempshërin dhe Karolinën e Jugut. Me këto fitore dhe një epërsi mbi 10% në anketat kombëtare, biznesmeni, i cili kurrë nuk është zgjedhur në poste publike u bë favoriti kryesor i garës për emërimin e kandidatit presidencial të partisë republikane.

Por sondazhet tregojnë se një grup i konsiderueshëm votuesish republikanë vazhdojnë ta kundështrojnë kandidaturën e tij sepse ata nuk mendojnë se ai mund të fitojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit ndaj konkurrentes kryesore të partisë demokrate, ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, ose sepse ata nuk besojnë pretendimet e tij se ai mbështet qëndrimet konservatore të shumicës së republikanëve në Shtetetet e Bashkuara.

Një ekspert i njohur konservator, Erick Erickson, tha të hënën se ai nuk do të votonte për zotin Trump në qoftë se ai do të ishte kandidati i republikanëve për president. Vite më parë, zoti Trump ka thënë se ai mbështeste fuqishëm të drejtën e abortit në Shtetet e Bashkuara, por tani ai u thotë votuesve se ai është kundër abortit.

Por zoti Erickson thotë se ai është i bindur se transformimi i zotit Trump mbi këtë çështje “është thjeshtë një konvertim për ambicie politike". Erick Erickson, i cili njëherë ka qenë një zyrtar lokal republikan, thotë se partia republikane "nuk do të meritonte mbështetjen time dhe nuk do ta merrte atë, nëse ajo vendos të emërojë një liberal pro-abortit të maskuar si një konservator".

Gara e ardhshme e demokratëve do të jetë në Karolinën e Jugut, ku të shtunën do të mbahen zgjedhjet paraprake të kësaj partie. Hillary Clinton është favorite ndaj rivalit të saj, senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders, një socialist demokrat, i cili e ka fokusuar fushatën e tij kundër thellimit të pabarazisë ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe kundër fuqisë së titanëve financiarë të Uoll Stritit.

XS
SM
MD
LG