Në vende të zhvilluara, si Shtetet e Bashkuara, sendet ushqimore vijnë përherë e më tepër nga vende të tjera. Kjo po i bën zyrtarët të tregojnë kujdes të veçantë për sigurinë e ushqimeve.
Ky është një dyqan ushqimor në Rokvill të shtetit Merilend. Në rafte shikon ushqime nga e gjithë bota. Pronari thotë se klientët e tij kërkojnë edhe më tepër produkte.
Shumica e produketeve të thata, apo ushqimet e konservuara importohen nga Kina, Taivani, Hong Kongu, Singapori.
Me rritjen e kërkesës për ushqime të importuara shtohen edhe shqetësimet. Gjetja e Salmonelës në domatet e prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe në Meksikë, e i-kolit në perimet e eksportuara nga Evropa dhe skandali i qumështit pluhur të skaduar nga Kina, kanë bërë që të dalin rregulla të reja, më të forta për importimin e produkteve ushqimore nga jashtë.
Jackie Han punon për në kompani për inspektimin e ushqimeve dhe ndjek një kurs që ofron Laboratori Ndërkombëtar i Trajnimit për Sigurinë e Ushqimeve, në periferi të Washingtonit.
“Siguria e ushqimeve është një problem i madh në Kinë, që ne duam ta zgjidhim.”
Ky objekt shumë-milionë dollarësh është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të Administratës amerikane të Ushqimeve dhe Ilaçeve, dhe Universitetit të Merilendit. Programin e mbikqyr Elizabeth Kalvi.
“Në vend që t’i trajnojmë të gjithë shkencëtarët, ne përgatisim vetëm disa prej tyre, pastaj i dërgojmë në vendet e tyre, ku punojnë me kolegët nëpër laboratore për t’u mësuar metodologjinë.”
Ky është fillimi i një programi, përmes të cilit zyrtarët amerikanë shpresojnë të trajnojnë rreth 200 shkencëtarë në vit për ushqimet nga e gjithë bota. …Ata nxitojnë të theksojnë se nevojitet të bëhet shumë punë për përmirësimin e gjendjes.
Importimi i ushqimeve është rritur së tepërmi, sidomos ushqimet e paketuara dhe konservat. Gjatë dekadës së shkuar importet nga Afrika janë rritur me 227 për qind, ato nga Azia janë rritur 211 për qind dhe importet nga Amerika Jugore janë rritur 119 për qind. Ky volum importesh ka tërhequr vëmendjen e organizatave në mbrojtje të shëndetit. Erik Olson është drejtor i programit të ushqimeve në Grupin Pew. Ai thotë se laboratori i ritrajnimit është i mirë, por është vetëm hapi i parë.
“Trajnimi nuk është i mjaftueshëm. Nevojiten burimet dhe përkushtimi në nivelin e qeverisë si dhe për respektimin e rregullave nga kompanitë që prodhojnë ushqime.”
Zoti Olson thotë se do të duhet kohë, por se ai është optimist, sepse realizimi i sigurisë së ushqimeve ka përfitime të mëdha.