Kriza Ukrainë-Rusi,  në Tiranë, Meta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Krize Ukraine -Rusi, Presidenti shqiptar Ilir Meta mbledh Keshillin e Sigurise Kombetre

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta mblodhi të hënën pasdite Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth situatës së krijuar si pasojë e krizës Ukrainë-Rusi si dhe “rreth pasojave të një përshkallëzimi të mëtejshëm nga një agresion i mundshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, bën të ditur në një njoftim pas takimit zyra e shtypit e presidencës.

Sipas po këtij njoftimi “presidenti Meta theksoi në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e evidentimit dhe mbajtjes së kontakteve me qytetarët shqiptarë me banim të përkohshëm në Ukrainë dhe mundësimin e evakuimit të tyre në rast nevoje”.

Pak ditë më parë ministria e Jashtme e Shqipërisë “duke marrë parasysh rrezikun e besueshëm të përshkallëzimit të situatës”, këshilloi qytetarët shqiptarët që të mos udhëtojnë drejt Ukrainës, ndërsa i bëri thirrje të gjithë atyre që mund të ndodheshin në Ukrainë të largoheshin sa më parë.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, presidenti Meta theksoi rëndësinë e “vijimit të reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, forcimit të kapaciteteve kundër sulmeve kibernetike, marrjes së masave për rritjen e sigurisë së infrastrukturës strategjike dhe garantimin e rezervave të shtetit për çdo rast, si dhe ndjekjen me vëmendje maksimale të zhvillimeve në rajonin tone”.

Në takim nuk ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. Të dy ndodhen në New York, ku Shqipëria organizon sonte një pritje me rastin e marrjes që prej fillimit të këtij viti të detyrës së anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë Këshill, Shqipëria u përzgjodh nga Shtetet e Bashkuara si bashkëpenëmbajtëse në çështjen e Ukrainës. Qëndrimi i Tiranës ka qenë i qartë në mbështetje të Ukrainës. Sot ministria e Jashtme shqiptare u shpreh përmes një postimi në Twitter se “në këtë situatë të vështirë dëshirojmë të rikonfirmojmë edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne ripërtërijmë thirrjen tonë për Rusinë që të ulë përshkallëzimin dhe të zgjidhë situatën në mënyrë diplomatike”

Kriza Ukrainë-Rusi parashikohet të jetë pjesë edhe e bisedës që kryeministri Edi Rama pritet të ketë nesër në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken.