Policia në Kaliforni është vënë në kërkim të të paktën një të dyshuari në lidhje me një incident me armë zjarri që ndodhi të dielën herët në mëngjes në qendër të qytetit të Sakramentos në Kaliforni. Si pasojë gjashtë persona humbën jetën dhe 10 të tjerë u plagosën.
Shefja e policisë së Sakramentos Kathy Lester tha në një konferencë shtypi se policia po patrullonte në këtë zonë rreth orës 2 të mëngjesit kur dëgjoi të shtëna me armë zjarri. Prej 10 të plagosurve disa u transportuan në spital. Gjendja e tyre shëndetësore nuk dihet.
Menjëherë pas të shtënave, disa pamje filmike të postuara në Twitter tregonin njerëz tek vraponin nëpër rrugë mes zhurmës të së shtënave të njëpasnjëshme.
Zona ku ndodhi incidenti është e mbushur me restorante e bare. Klubet e natës mbyllen në orën 2 të mëngjesit dhe është normale që rrugët të jenë plot me njerëz në atë orë.