Dy refugjate ukrainase gjetën strehim në një vend të veçantë - studion filmike “Nu Boyana” në Sofie të Bullgarisë, e cila nga fillimi i sulmit rus ka punësuar mbi 30 refugjatë ukrainas. Yaroslava Kuzmenko dhe Alyona Altukhova janë në mesin e tyre. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tatiana Vorozhko, ato realizuan diçka që para fillimit të luftës mund të dukej e pamundur – pjesëmarrja në prodhimin e filmave të Hollovudit në Bullgari. Por, megjithë mundësitë e ofruara, dy refugjatet ëndërrojnë të rikthehen në shtëpi.
Kur Rusia filloi sulmin kundër Ukrainës më 24 shkurt, Yaroslava Kuzmenko dhe Alyona Altukhova ndodheshin në kryeqytetin Kiev.
Yaroslava Kuzmenko, një refugjate ukrianase që është punësuar nga studio filmike "Nu Boyana" në Sofie të Bullgarisë
“Më 2016 u largova nga kanali televiziv ICTV, ku isha regjisore kryesore e dy emisioneve të rëndësishme. Pastaj bëja regjinë e dy serialeve të njohura televizive për një kanal tjetër. Më pas realizova filmin e shkurtër ‘Si në Hollivud’, i cili mori shumë çmime”, thotë refugjatja ukrainase Kuzmenko.
Familja e Alyona Altukhovas u zhvendos në Kiev pas ikjes nga Donetsku në vitin 2014, kur forcat separatiste të kontrolluara nga Rusia pushtuan qytetin. Më pas Rusia sulmoi sërish.
Alena Altuhova, refugjate ukrainase e punësuar në departamentin e marrëdhënieve me publikun në studion filmike "Nu Boyana"
“Më 24 shkurt kam qarë gjithë ditën. Kam kaq shumë emocione. Duhet të qetësohem. Ishte e frikshme sepse kisha një fëmijë, pra nuk kisha përgjegjësi vetëm për veten”, thotë refugjatja Altukhova.
Pasi lëvizën nëpër Evropë, dy refugjatet përfunduan duke jetuar në të njëjtën godinë në Sofje të Bullgarisë. Altukhova dhe Kuzmenko tani punonjnë në studion filmike “Nu Boyana”, e cila që nga fillimi i luftës ka punësuar më shumë se 30 ukrainas për punë të ndryshme si dekorimin e seteve, grimin, montimin e videove, kostumografi dhe efekte speciale.
“Pashë një njoftim që thoshte se ‘Nu Boyana’ në Bullgari po ndihmon ukrainasit me punësim dhe strehim. Vendosa ta provoja. Dërgova rezymenë time dhe më thirrën”, thotë zonja Altukhova.
Ajo iu bashkua departamentit të marrëdhënieve me publikun. Ndërsa refugjatja tjetër Kuzmenko fillimisht ishte punësuar në sektorin e ndriçimit, si pastruese pajisjesh.
Në gusht ajo u angazhua për montimin e videove. Ajo thotë se pengesa e saj kryesore është mosnjohja e gjuhës angleze.
“Për të shkuar në vendin e xhirimit të një filmi ku të gjithë flasin gjuhën anlgeze ose bullgare, duhet të jem në gjendje të komunikoj me njerëzit. Nëse nuk e di gjuhën, si mund ta presësh këtë?”, thotë ajo.
Studio bullgare ka shpenzuar më shumë se 100 mijë dollarë për akomodimin, ushqimin, transportin, mësimet si dhe shërbimet administrative për të ndihmuar refugjatët ukrainas të punojnë dhe jetojnë këtu.
Yariv Lerner, drejtor i studios bullgare të filmit "Nu Boyana"
“Shumë njerëz që erdhën tek ne, nuk ishin pjesë e industrisë së filmit. Por ne, përmes kursit tonë të quajtur ‘Film Forge’ filluam t’i mësojnë ata”, thotë Yariv Lerner, drejtor i studios fiilmike “Nu Boyana”.
Refugjatet Kuzmenko dhe Altukhova ndjehen me fat që janë punësuar, megjithëse të dyja shpresojnë që një ditë të kthehen në shtëpitë e tyre në Ukrainë.