Lidhje

Lagarde: Pasiguria problem për rimëkëmbjen globale


Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde tha se hartuesit e politikave financiare evropiane duhet të vënë në jetë planet për të shpëtuar Euron, përfshirë krijimin e një sistemi të unifikuar bankar. Zonja Lagarde tha në Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare se pasiguria po pengon përpjekjet për rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

Megjithëse ajo tha se masat më urgjente duhen marrë në Eurozonë, ajo shtoi se edhe Shtetet e Bashkuara paraqesin një rrezik të madh me masat shtrënguese fiskale që mund të ndërmerren vitin ardhshëm.

Ekonomia globale është pak më e dobët se parashikimet e FMN-së të bëra në korrik dhe ajo është ndikuar nga një numër faktorësh përfshirë pasigurinë, tha drejtorja e FMN-së Christine Lagarde. Në korrik, FMN uli parashikimet për ritmin e rritjes së ekonomisë botërore në 3.5 për qind. Në fjalmin që i paraprinë takimit të Bankës Botërore dhe FMN-së që do të zhvillohet në Tokio në fillim të tetorit, zonja Lagarde i bëri thirrje qeverive të zbatojnë politika ekonomike të cilat garantojnë rimëkëmbjen globale.

“Në fakt mesazhi im kryesor sot është nevoja urgjente për zbatimin e politikave të cilat sigurojnë rimëkëmbjen globale”.

Zonja Lagard tha se një numër faktorësh po ndihmojnë në ngadalësimin e ekonomisë globale.

"Në qendër të këtyre faktorëve është elementi i pasigurisë, pasiguria rreth mundësisë së politikanëve për të mbajtur dhe realizuar premtimet e tyre. Kjo është duke prodhuar efekte reale si dallimet në ekonomitë e eurozonës dhe rimëkëmbja e ngadaltë në Shtetet e Bashkuara. Dhe tani po shohim një efekt domino në nivel global, ngadalësim ekonomik në vendet me rritje të shpejtë ekonomike, shqetësim të madh në vendet me të ardhura të ulëta rreth rritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve të mallrave si dhe rritje të pakënaqësive në mbarë Lindjen e Mesme”.

Zonja Lagarde tha se sektori financiar sot nuk është më i sigurtë se ç’ishte në fillim të krizës pesë vite më parë. Ajo tha se udhëheqësit evropianë duhet të përmirësojnë zbatimin e reformave dhe duhet të punojnë së bashku për të arritur qëllimet e tyre.

Pasiguria në eurozonë është rreziku më i madh i ekonomisë globale, tha zonja Lagarde. Por ajo gjithashtu theksoi se ngecja e bisedimeve mbi politikat fiskale në Shtetet e Bashkuara është “kërcënim serioz” për ekonominë globale.
Drejtorja e FMN-së Christine Lagarde paralajmëroi se “Duhet të ketë një përpjekje të përbashkët në rrugën drejt rimëkëmbjes globale”.
XS
SM
MD
LG