Lidhje

Përpjekje për të shmangur katastrofën fiskale


Nëse Kongresi amerikan nuk vendos masa të reja deri në fund të vitit, taksat federale do të rriten për të gjitha grupet e të ardhurave dhe do të hyjnë në fuqi shkurtime të shpenzimeve në të gjithë sektorët.

Ekonomistët thonë se kombinimi i rritjes së taksave dhe i shkurtimeve buxhetore - që njihet edhe si katastrofa fiskale - mund ta çonte ekonominë amerikane përsëri në recesion.

Zgjidhje dypartiake, është ajo për të cilën Presidenti i sapo rizgjedhur Barak Obama po bën thirrje dhe ajo që kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner po kërkon.

Por asnjë prej tyre nuk ndryshon qëndrimet e kundërta bazë, mbi mënyrën se si duhet të zgjidhet problemi fiskal i SHBA-së.

Presidenti Obama, një demokrat, kërkon një nivel më të lartë taksash për të pasurit.

"Duhet të shkurtojmë shpenzimet e të rrisim të ardhurat, dhe kjo bëhet duke i kërkuar amerikanëve më të pasur të paguajnë taksa pak më të larta." - thotë ai

Zoti Boehner kundërshton rritjen e taksave, duke favorizuar kufizimin e zbritjeve tatimore, për të rritur të ardhurat e qeverisë. Ai thotë:

"Rritja e mëtejshme e qeverisë nëpërmjet taksave më të larta nuk do të na ndihmojë të zgjidhim problemin."

Debati partiak për taksat nuk është diçka e re. Ish Presidenti republikan Ronald Reagan përkrahu shkurtimet e taksave në vitin 1980. Ndërsa në vitin 1990, tatimet u rritën nën presidencën e demokratit Bill Klinton, dhe u ulën përsëri në vitin 2001 nën ish-presidentin republikan George W. Bush.

Fjalët e Kryetarit Boehner sjellin në mend negociatat bllokuese të vitit të kaluar për borxhin, që çuan në një zhvlerësim të kreditit të SHBA-së.

"Presidenti ka thënë shpesh se kemi nevojë për një qasje të balancuar, që në Uashington do të thotë: ‘Ne shpenzojmë më shumë, dhe ju paguani më shumë'." - thotë zoti Bohener.

Edhe vërejtjet e Presidentit Obama kundër bllokimeve në linja partiake nuk janë të reja:

"Populli amerikan mund të ketë votuar për një qeveri të ndarë, por nuk votoi për një qeveri jofunksionale."

Por me masat fiskale drastike që rrezikojnë të hyjnë në fuqi nëse Kongresi nuk vepron, a do të ketë një zgjidhje dypartiake?

Një zgjidhje e përkohshme është e mundur, sipas ish ligjvënësit demokrat Dan Glickman i cili thotë:

"Kam shpresë se ata do të arrijnë të përgatisin një marrëveshje. Them se do të jetë një marrëveshje afat-shkurtër dhe jo një marrëveshje afatgjatë, duke kaluar kështu rrezikun e katastrofës fiskale dhe duke patur pak më shumë kohë vitin e ardhshëm për të vendosur rreth këtyre gjërave."

Analistja e buxhetit Isabel Sawhill e Institucionit Brookings me qendër në Uashington, është më pak optimiste rreth një marrëveshjeje brenda fundit të vitit. Ajo thotë:

"Mos prisni të ndodhin shumë gjëra në Kongres gjatë periudhës pas zgjedhore. Është tepër e shkurtër."

Brenda datës 1 janar, amerikanët do të kenë një përgjigje. Sipas ligjit aktual, çekuilibri fiskal do të tkurret, por ekspertët paralajmërojnë se rimëkëmbja e brishtë ekonomike e vendit mund të pësojë një goditje të rëndë.
XS
SM
MD
LG