Lidhje

Britania, përfundoi kriza e pengjeve në Algjeri


Sekretari britanik i Mbrojtjes Philip Hammond thotë se kriza e pengjeve në Algjeri ka marrë fund dhe se janë vrarë edhe njerëz të tjerë.

Në një konferencë të përbashkët shtypi sot në Londër me homologun e tij amerikan Leon Panetta, zoti Hammond tha se terroristët janë të vetmit që mbajnë përgjegjësi për vdekjet. Ministria e Jashtme britanike thotë se më pak se 10 britanikëve nuk u dihet fati.

Këto komente erdhën menjëherë pasi agjencia algjeriane zyrtare e lajmeve APS tha se forcat speciale të vendit kanë filluar një sulm përfundimtar ndaj islamikëve, të cilët kanë mbajtur disa pengje në një kompleks gazi në një shkretëtirë të Algjerisë.

Agjencia APS njoftoi se forcat speciale kanë vrarë 11 terroristë me lidhje me Al Kaidën. Sipas burimeve, rrëmbyesit kanë vrarë të paktën 7 pengje të huaja, por se kjo shifër mund të rritet. Franca tha sot se Algjeria dha përgjigjen më të përshtatshme për situatën e pengjeve, sepse ata nuk mund të zhvillonin negociata me terroristët.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Paneta tha se Uashingtoni "do të marrë të gjitha masat e nevojshme" për të mbrojtur amerikanët nga kërcënimi i militantëve në Algjeri dhe vende të tjera në rajon.

Duke folur për krizën e pengjeve në Algjeri, zoti Paneta tha gjatë një interviste në Londër për rrjetin televiziv BBC, se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë vendet e tjera për të parandaluar krijimin e një baze të militantëve islamikë në rajon. Ai tha se qëllimi është që al-Kaida të mos lejohet "të kryejë sulme të ngjashme terroriste" me ato të ndërmarra në Algjeri. Zyrtarët e SHBA-së konfirmuan dje se mes të vrarëve ishte dhe një shtetas amerikan.

XS
SM
MD
LG