Lidhje

Festimet me rastin e inaugurimit të presidentit


Çdo katër vjet, Uashingtoni tregon se është një qytet që di si të festojë. Inaugurimi presidencial nuk është vetëm një ngjarje politike, por edhe një nga ngjarjet më festive në kryeqytetin e vendit ku pothuaj të gjithë mund të marrin pjesë. Kronika në vazhdim na njeh me aktivitetet e Galës Ndërkombëtare të Inagurimit të organizuar në Uashington nga organizata Qytetet e Binjakëzuara.

Kur afrohet koha e inaugurimit, termi “parti politike” merr një kuptim tjetër. Njerëzit nga mbarë vendi vijnë këtu për të festuar, mes tyre edhe zonja Burga Santiago nga Kalifornia. Ajo po merr pjesë për herë të parë në festat e inaugurimit këtë fundjavë, së bashku me vajzat e saj. Kjo është vizita e saj e parë në Uashington.

“Me të vërtetë mund të ndjesh se ky është një vend me pushtet. Jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për mbarë globin”.

Por nuk duhet të jesh një njeri me pushtet për të shijuar qytetin. Çdokush mund të blejë bileta për festimet e inaugurimit, si Gala Ndërkombëtare e Inaugurimit e Qyteteve të Binjakëzuara. Kjo është një festë ku marrin pjesë njerëz të ndryshëm, thotë Mae Ferguson, një prej organizatorëve të festës.

“Ne festë po marrin pjesë ambasadorë, i gjithë trupi diplomatik, krybashkiakët e qyteteve nga i gjithë vendi dhe qytetarë të thjeshtë. Kjo festë ka bashkuar shumë njerëz nga e gjithë bota, që është synimi kryesor i organizatës së Qyteteve të Binjakëzuara”.

Ndër të ftuarit është edhe Nuno Brito, ambasadori i Portugalisë në SHBA.

“Ne mendojmë se kjo është një mënyrë e mirë për të nxitur dialogun dhe për të ndihmuar në njohjen më të mirë mes vendeve të ndryshme, dhe kjo është arsyeja e pranisë sime këtu”.
Ashtu siç i bashkon njerëzit në këto festime, organizata e Qyteteve të Binjakëzuara bashkon njerëzit nga Shetetet e Bashkuara dhe ata nga jashtë vendit për të nxitur mirëkuptimin mes tyre. Presidentët amerikanë kanë shërbyer si kryetarë nderi të organizatës që nga themelimi i saj në vitin 1956. Përkatësia partiake këtu nuk ka rëndësi.

“Nuk ka rëndësi nëse jeni demokrat apo republikan, presidenti është kryetar nderi i organizatës. Ne jemi mbledhur këtu vetëm për të nderuar atë”.

Për zonjën Santiago ky është edhe një moment argëtimi.

“Unë do të vij këtu përsëri...”
Kjo është vetëm një nga dhjetëra festat jozyrtare në fundjavën e inaugurimit. Dy ballot zyrtare inauguruese që do të zhvillohen të hënën në mbrëmje do t’i përmbyllin festimet me rastin e inagurimit të presidentit.

XS
SM
MD
LG