Lidhje

Pozita e gruas në lëvizjen pro-kurde në Turqi


kurds
kurds

Gratë gëzojnë një status sa të fuqishëm, aq edhe autonom brenda lëvizjes, që i ka bërë ato një zë të rëndësishëm në politikë dhe shoqëri

Vrasja këtë muaj e tre aktivisteve kurde në Paris ka hedhur dritë mbi rolin e fuqishëm të grave në luftën politike dhe ushtarake të kurdëve. Analistët, që kanë studiuar pakicën kurde në Turqi, thonë se gratë janë bërë një forcë e madhe brenda lëvizjes pro-

Ozlem Ozen po merr pjesë në një takim të organizatës lokale të grave. Si anëtare e lartë e Partisë pro-kurde për Paqe dhe Demokraci, ajo thotë se barazia gjinore është në zemër të lëvizjes.

"Partia jonë është tërheqëse për gratë, pasi është e vetmja parti që i kushton rëndësi lirisë dhe barazisë së grave dhe pjesëmarrjes së tyre në procesin demokratik” thotë ajo. “Kemi kuotën minimale prej 40 për qind për kandidaturat për deputete dhe postet që do t’u jepen grave në parti. Gjen gra në çdo nivel drejtues të lëvizjes”.

Mes tri grave të vrara në Paris në fillim të muajit ishte Sakine Cansiz, e cila simbolizonte pjesëmarrjen e gruas në ushtri dhe lëvizjen politike kurde. Pak pasi u qëllua për vdekje, qarkulluan fotografi që e tregonin atë të veshur me uniformë ushtarake përkrah Abdullah Ocalan, udhëheqës i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit ose PKK.

Sociologia Nuhket Sirman e Universitetit të Bosforit në Stamboll ka studiuar pakicën kurde në Turqi. Ajo thotë se gratë janë bërë një forcë e madhe brenda lëvizjes pro-kurde në vend.

"Ato janë brenda partisë, por kanë status autonom. Kanë organet e tyre të vendim-marrjes. Ato vetë vendosin kush do të konkurojë në zgjedhje, kush është në listën e kandidateve për deputete. Ato përpiqen t’i trajtojnë të drejtat e gruas si një pjesë qendrore e politikave të partisë dhe partia ka pranuar se grave u takon ky vend në organizatë”.

Afro një e treta e 35 deputetëve të Partisë për Paqe dhe Demokraci janë gra, shifër kjo që përfaqëson mbi 2 herë më shumë se përfaqësimi aktual i grave në parlamentin turk.

Sipas ekspertëve, gratë besohet se përbëjnë më shumë se 25 për qind të radhëve të PKK-së. Themeluesi i kësaj partie, Abdullah Ocalan, aktualisht duke vuajtur dënimin me heqje lirie në një burg turk, ka theksuar në shkrimet e tij rëndësinë e luftës për barazinë e gruas, përkrah luftës për të drejtat e kurdëve.

Ky mesazh ka ndikuar në qëndrimet brenda lëvizjes kurde. Sociologia Nuhket Sirman shpjegon:

"Prania e barabartë në të gjitha aspektet e opozitës kurde ka revolucionarizuar partinë dhe kushtet e jetës në këto rajone. Për shembull, nëse zbulohet që një pjesëtar i një komuniteti ka përdorur dhunë kundër grave, i vihet gjobë. Organizatat e grave që ndihmojnë viktimat e dhunës në familje kanë fuqinë të futen në këto shtëpi”.

Por për aktivisten kurde Ozen, ka ende shumë punë për të ndryshuar qëndrimin e burrave ndaj grave edhe brenda partisë.

"Gratë kanë treguar forcën e tyre në politikë si dhe në fushën e shërbimeve sociale. Ky është hapi më i madh në ndryshimin e mentalitetit. Motoja jonë është që të angazhohen më shumë gra në procesin demokratik për ta forcuar më tej demokracinë”.

Analistët thonë se me ndërthurjen e betejës për të drejta gjinore me luftën për të drejtat e pakicës kurde, ka gjasa që gratë të vazhdojnë të rrisin përfaqësimin e tyre brenda lëvizjes pro-kurde.
XS
SM
MD
LG