Lidhje

Realizim i ri për Magjistarin e Ozit


Historia e Magjistarit të Ozit që jeton në Qytetin e Esmeraldit i ka rezistuar kohës. Libri me titull The Wizard of Oz, shkruar në vitin 1900 nga Frank Baum, është realizuar disa herë në film. Produksioni më i suksesshëm u realizua në vitin 1939 nga studioja MGM me aktoren Judy Garland, që ka hyrë në fantazinë e njerëzve me sandalet e kuqe. Tani një realizim i ri u ofron shikuesve të shekullit XXI ngjarjet që i paraprinë historisë së Magjistarit të Ozit.

Ashtu si në filmin e mëparshëm, realizimi i ri Oz the Great and Powerful, i kineastit Sam Raimi, fillon në bardh e zi:

Magjistari Oscar Diggs, luajtur nga James Franco, e gjen veten në Qytetin e Esmeraldit ku duhet të deklarojë pretendimet e tij për fronin. Fillimisht i thonë se duhet të vrasë Shtrigën e Ligë. Ai takon tri shtriga, por asnjëra prej tyre nuk pranon se është e ligë.

Magjistarit i duhet kohë për të kuptuar cila është shtriga që ai kërkon.

James Franco thotë se e kishte frymëzuar historia origjinale:
“E kam pëlqyer botën e Ozit që kur isha njëmbëdhjetë vjeç ose më i vogël. Mendova se ishte një mundësi e mrekullueshme për të luajtur rolin që më kishte zaptuar imagjinatën fëmijnore”.

Realizimi 3-dimensional i Sam Raimit ofron një histori interesante, efekte të pasura vizuale si dhe aktrim me mjeshtëri.

Por filmi nuk i afrohet realizimit origjinal Magjistari i Ozit ku Dorothy, luajtur nga Judy Garland me sandalet e kuqe, u bë një simbol kombëtar.

Dorothy shkon në Qytetin e Esmeraldit për të takuar Magjistarin, i cili do ta ndihmojë për të gjetur rrugën për në shtëpi, por ajo zbulon se Magjistari është në fakt një mashtrues.

Udhëtimi është një alegori i rrugës drejt zbulimit të identitetit vetjak.

Biblioteka e Kongresit e ka cilësuar Magjistarin e Ozit si filmin më të parë në histori, thotë Patrick Loughney, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kombëtare për Mbrojtjen e Pasurisë Audio-Vizuale Kombëtare në këtë bibliotekë:
“Është një film i magjishëm pasi arriti të kapë energjinë, gjenialitetin dhe forcën krijuese që ekzistonte në Hollivudin e asaj kohe”.

Zoti Loughney thotë se filmi i vitit 1939 përcillte mesazhin e rezistencës të periudhës pas Depresionit:
“Për mua është mesazhi i shpresës që përcjell filmi, i cili prek këdo si në atë kohë, edhe tani”.

Ka pasur edhe realizime të tjera të këtij subjekti që pasqyronin ndryshimet në kulturën pop. Në vitin 1974, filmi The Wiz kishte në qendër personazhin Dorothy luajtur nga Diana Ross dhe me një trupë afrikano-amerikane.
"Mendoj se pasqyron një ndryshim social që kishte ndodhur në Amerikë nga vitete 1950 – 1960. Prandaj studio të fuqishme kinematografike fillojnë të realizojnë filma me artistë të rinj nga komuniteti afrikano-amerikan”.

Tani magjia teknike e Sam Raimit në filmin Oz the Great and Powerful, mund t’i japë energji të re magjistarit deri në realizimin e ardhshëm kinematografik të historisë së dashur të Frank Baum-it.
XS
SM
MD
LG