Lidhje

Shqipëri - Mbyllen listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare


Albania politics
Albania politics

Tani palët janë të gatshme për betejën e madhe ku do të verifikohen kostot apo përfitimet e përzgjedhjeve të aleancave dhe kandidaturave që kanë bërë.

Në Shqipëri mbrëmë u mbyllën listat e deputetëve me të cilat partitë do të konkurrojnë në zgjedhjet e 23 qershorit. Ato kanë sjellë surpriza si në partinë demokratike ashtu dhe në partinë socialiste ku janë lënë jashtë emra që kanë kontribuar prej shumë vitesh. Si kryeministri Sali Berisha ashtu dhe kryetari socialist Edi Rama folën për listaT që sipasi tyre do të garantojnë fitoren

Deri afër mesnatës të gjithë prozhektorët e mediave dhe publikut ishin përqëndruar në selitë e dy partive kryesore, asaj demokratike dhe socialiste ku dy kryetarët e tyre kishin mbledhur forumet drejtuese, pasi kishin përpiluar më parë vetë, listat me kandidatët për deputetë. Në selinë e partisë demokratike, aty ku dominimi i zotit Berisha është thuajse absolut, gjithshka, të paktën në dukje kaloi qetë, ndonëse lista e hartuar la jashtë jo pak figura të kësaj partie ish ministra si Jemin Gjana, Fatos Beja dhe Enkelejd Alibeaj, apo dhe zotin Selami Xhepa një ekspert i njohur i cështjeve ekonomike, ndërsa u përfshinë ndërkohë emrat e tre deputetëve socialist të shkëputur nga grupi i tyre si Kastriot Islami, Xhovalin Kadeli dhe Aslllan Dogjani. Po ashtu, nën siglën e partisë demokratike do të garojnë edhe kryetarët e partive kryesore aleate. Eksponentët demokrat u rikonfirmuan thuajse të gjithë në pozicione kryesuese në qarqe të ndryshme të vendit.

Situatë më e tensionuar në partinë socialiste, ku gjithashtu zoti Rama nuk kishte kursyer dorën në lënien jashtë liste gjithashtu të emrave të njohur, si një përpjekje për të forcuar kontrollin e tij në forcën kryesore të opozitës. Emri më i spikatur që mbeti jashtë ishte ai I zotit Arben Malaj, i cili u largua nga mbledhja duke njoftuar se do të dilte si kandidat i pavarur. Por deri pak pas mesnatës, kur kishte skaduar afati i regjistrimit, sipas njoftimeve ai nuk ishte paraqitur në Komisionin qëndror të Zgjedhjeve. Mënjanimi I zotit Malaj, solli dhe reagimin e ish kryetarit socialist Fatos Nano, i cili deklaroi se do të angazhohej në krah të tij, kundër zgjedhjeve të zotit Rama në Vlorë ku në lista është përfshirë botuesi dhe sipërmarrësi Koco Kokëdhima, një prej miqve më të ngushtë të kryetarit socialist. Ky i fundit arriti të shmangë një tjetër problem të madh që do të kishte krijuar nëse nuk do të kish zgjidhur në momentet e fundit pikëpyetjen mbi kandidimin e zotit Erion Brace, një prej figurave më aktive të opozitës së këtyre 8 viteve. Përvec zotit Malaj jashtë u lanë edhe emra të tjerë si Ilir Gjoni, Arben Isaraj, Alfred Dalipi e Qemal Minxhozi apo Elisa Spiropali, kryetare e forumit rinor.

Tani palët janë të gatshme për betejën e madhe ku do të verifikohen kostot apo përfitimet e përzgjedhjeve që kanë bërë. E gjithë vëmendja do të jetë kryesisht në Tiranë, Durrës, Fier apo dhe Elbasan, aty ku do të përcaktohet fitorja apo humbja.
XS
SM
MD
LG