Lidhje

Marrëdhëniet turko-amerikane

  • Dorian Jones

Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan do të takohet me presidentin amerikan Barak Obama sot (të enjten) në Uashington. Të dy udhëheqësit janë të një mendimi që Presidenti sirian Bashar al-Assad duhet të largohet, pas dy vjet dhune që ka lënë më shumë se 70 mijë të vrarë. Por, siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, zoti Obama dhe zoti Erdogan kanë mosmarrëveshje të mprehta në qasjet e tyre ndaj Sirisë dhe çështje të tjera kyçe të Lindjes së Mesme.

Pas shpërthimeve me bombë të së shtunës në qytetin turk Reyhanli, kryeministri Erdogan pritet t’i bëjë trysni Presidentit Obama të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Damaskut.

Sinan Ulgen, kreu i institutit kërkimor Edam në Stamboll, thotë se kryeministri turk ka disa kërkesa konkrete për t’i paraqitur presidentit Obama.

"Turqia do të përpiqet të bindë Shtetet e Bashkuara për një qasje më të drejtpërdrejtë ndaj Sirisë, siç është krijimi i një zone të ndalim-fluturimeve. Kjo mund ta ndryshojë balancën e forcave në terren. Mendoj se ai do ta përforcojë argumentin e tij duke thënë se nëse nuk bëhet kjo, ekziston mundësia reale që konflikti sirian të tërheqë edhe vende të tjera, si Turqia."

Por tani që Moska dhe Uashingtoni po punojnë së bashku për organizimin e një konference që synon një zgjidhje paqësore të konfliktit sirian, disa vëzhgues thonë se pritshmëria në Ankara është e ulët për ndonjë ndryshim të menjëhershëm në politikën amerikane.

Megjithatë, analisti Ulgen thotë se Ankaraja dëshiron të shohë përtej përpjekjeve të tanishme diplomatike.

"Ne duhet t’i japim një shans këtij procesi politik që u vendos në takimin e fundit të nivelit të lartë Rusi-Amerikë, por nëse nuk marrim rezultate, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre për Sirinë. Ky do të jetë mesazhi i udhëheqësit turk në Uashington."

Në Turqi, vëzhgues pranë partisë AK në pushtet thonë se presin që presidenti Obama të kërkojë ndihmë nga kryeministri në lehtësimin e përpjekjeve të tanishme diplomatike për ta bindur koalicionin opozitar sirian të marrë pjesë në konferencën e planifikuar të paqes.

Ankaraja është mes përkrahësve më të fuqishëm të opozitës siriane. Ajo është kundër bisedimeve që do të përfshinin presidentin Assad ose ndonjë nga mbështetësit e tij të afërt. Uashingtoni do të kërkojë ndoshta zbutjen e këtij qëndrimi.

Opozita siriane do të vendosë në një takim javën e ardhshme në Stamboll nëse do të marrë pjesë ose jo në konferencën e paqes.

Një tjetër çështje potencialisht e mprehtë është ajo e marrëdhënieve izraelito-turke. Të dy këta aleatë kryesorë të Amerikës janë të angazhuar në përpjekjet e afrimit mes tyre pas vrasjes së nëntë shtetasve turq gjatë konfrontimit me komandot izraelitë në bordin e një anijeje ndihmash, e cila u përpoq të shkelë bllokadën e Izraelit ndaj Rripit të Gazës në vitin 2010.

Asli Aydintasbas, gazetar i së përditshmes turke Milliyet, thotë se Presidenti Obama do të përpiqet ta përshpejtojë afrimin e tanishëm.

"Eshtë e qartë se ndjesa që Izraeli, me ndërhyrjen e Presidentit Obama, kërkoi për incidentin e vitit 2010, ka ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet turko-amerikane. Në shumë aspekte, zotërinjtë Obama dhe Erdogan kanë patur marrëdhëniet të mira pune. Por tensioni në marrëdhëniet izraelito-turke ka qënë gjithmonë një pengesë për Uashingtonin që ai të punojë me Turqinë."

Iraku parashikohet gjithashtu të jetë ndër temat e bisedimeve mes presidentit amerikan dhe kryeministrit turk. Dhuna sektare në rritje në Irak i ka tendosur marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Bagdatit. Qeveria e zotit Erdogan dhe ajo e kryeministrit irakian Nuri al-Maliki akuzojnë njëra-tjetrën për nxitje të dhunës.

Semih Idiz është korrespondent i gazetës Milliyet.

"Iraku vazhdon të mbetet një çështje delikate. Ka ende fërkime mes qeverisë Maliki dhe Ankarasë, edhe pse Amerika po përpiqet t’i riparojë ato. Mendoj se Uashingtoni do të përpiqet të bindë Turqinë të përmirësojë marrëdhëniet me qeverinë irakiane dhe Turqia do të pëpiqet të bindë Uashingtonin të përdorë trysninë e tij mbi qeverinë Maliki, që ajo të tregohet paksa më e drejtë dhe më e butë me sunitë në Irak."

Vizita në Uashington e zotit Erdogan pritet të sjellë thellimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë. Por vëzhguesit thonë se ndonëse dy vendet mund të kenë synime të ngjashme në rajon, mosmarrëveshjet mbeten, dhe suksesi i vizitës mund të varet nga fakti sesi do të trajtohen dallimet mes tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG