Lidhje

7 të dyshuarit për krime lufte në paraburgim


Shtatë ish pjesëtarëve të UÇK-së që po hetohen nën dyshimet për krime lufte u është ndryshuar masa e arrestit shtëpiak me masë të paraburgimit

Në Prishtinë, një trup gjykues i drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, vendosi masën e arrestit prej 30 ditësh për shtatë persona të dyshuar për përfshirje në krime lufte.

Të gjithë ata janë dërguar në paraburgim në mbrëmjen e së premtes nga policia e EULEX-it, derisa ndodheshin në arrest shtëpie.

Zyrtarë të EULEX-it thanë se “arsyeja kryesore për caktimin e paraburgimit është rreziku për pengimin e procedurës penale, duke ndikuar mbi dëshmitarët”.

Avokatët mbrojtës thanë se “gjykata e Apelit ka vendosur të ndryshojë masën e arrestit shtëpiak me masë të paraburgimit, që do të zgjasë deri më 24 qershor të këtij viti, ndërsa vendimi ka pasuar kërkesën e prokurorit të çështjes”.

Sipas EULEX-it, të shtatët po hetohen “për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve. Ata civilë janë mbajtur në qendrën e ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likoc të komunës së Skenderajt. Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte”.

Në mesin e të arrestuarve janë ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i njohur me emrin e luftës Sulltani, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë dhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish komandant i zonës së parë të ish UÇK-së. Në të njëjtin grup janë edhe Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi e Avni Zabeli, të gjithë ish pjesëtarë të UÇK-së. Javën e kaluar atyre u ishte shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.

Avokatët thanë se do të ankohen për vendimin e së premtes në Gjykatën e lartë të Kosovës.

Fillimi i hetimeve ka nxitur reagime të shumta, ndërsa organizata e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u hodhën gjatë javës në protestë duke e akuzuar EULEX-in se, siç thuhet, me përndjekjen e vazhdueshme të luftëtarëve të lirisë, po bënë përpjekje të njollosë luftën çlirimtare të kombit shqiptar.Ata u kanë bërë thirrje edhe institucioneve të Kosovës që të shqyrtojnë mandatin e EULEX-it.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.
XS
SM
MD
LG