Lidhje

Dita e popullsisë, shtatzania tek adoleshentet


Këtë vit, në Ditën e Popullsisë, Kombet e Bashkuara po përqëndrohen tek shtatzania mes adoleshentëve. Kombet e Bashkuara thonë se rreth 16 milionë vajza nën moshën 18-vjeçare lindin çdo vit fëmijë. 3,2 milionë të tjera abortojnë. Ndërsa shumica e këtyre nënave të reja jetojnë në botën në zhvillim, problemi i shtatzënisë mes adoleshenteve është global. 750 mijë vajza amerikane nën moshën 20 vjeçare, mbeten çdo vit shtatzënë, një shifër kjo më e larta në një vend perëndimor. Qyteti i New Yorkut ka një ritëm tepër të lartë të shtatzënisë mes adoleshenteve, 20 mijë raste në vit. Por që nga viti 1984, një program jashtëshkollor ka qenë i suksesshëm, duke e përgjysmuar numrin e shtatzënive mes pjesëmarrëseve:

Këto nxënëse të shkollave publike të qytetit të New Yorkut janë regjistruar në Shoqatën e Ndihmës për Fëmijët, një program jashtë-shkollor, i cili synon pakësimin e numrit të shtatzanive tek adoleshentët.

Ato marrin këtu edukatë seksuale. Por kjo është vetëm pjesë e programit. Psikologu Michael Carrera, që e themeloi programin 29 vjet më parë, thotë se përpjekjet e efektshme për parandalimin e shtatzënisë tek adoleshentet, duhet të trajtojnë të gjitha nevojat e fëmijëve, t’i ndihmojnë ata të parashohin një jetë të sukeseshme kur të rriten, në vend që të zgjedhin rrugën pa të ardhme të të qenit prind në moshë të vogël.

“Kur të rinjtë mendojnë se në jetën e tyre kanë për të ndodhur gjëra të mira, kur e ndjejnë se kanë mundësira për sukses, ata e pakësojnë vetë rrezikun. Prandaj, shtatzëninë nuk e parandalojmë dot ne, vetë ata duhet ta bëjnë këtë.”

Programi ka 6 komponentë: sërvitje sportive dhe kurse arti, punë part-time dhe kurse që i mësojnë të mbajnë llogari bankare individuale, këshillimin, kujdesin e plotë dentar, si dhe edukimin seksual.

“Lindja e një fëmije kur je ende në moshë të vogël ndikon drejtpërdrejt tek jeta juaj, në ç’mënyrë?”

Pjesëmarrësit në programin Carrera kanë patur vazhdimisht 50 për qind më pak raste të shtatzënisë se sa adoleshentet njujorkeze me kushte të ngjashme jetese.

“Mua programi më shpëtoi jetën, me të vërtetë".

Felipe Ayala, që punon si këshilltar i programit për kolegjet, ishte një nga pjesëmarrësit e parë në vitin 1984. Ai vinte nga një lagje e varfër dhe me probleme.

“Programi na mbajti të përfshirë në aktivitete të ndryshme për t’u siguruar që nuk ishim vetëm në kërkim të seksit. Nuk kishim rastin të ndodheshim në vende të izoluara me vajza të reja dhe nuk i merrnim ato për seks, duke u bërë baba para kohe”.

22-vjeçarja Katie Modesto ishte pjesëtare e programit deri sa e përfundoi kolegjin, duke u trajnuar për punë, madje edhe duke marrë para për veshjet që i duheshin në vendin e punës. Përsa i përket marrëdhënieve seksuale, ajo thotë se mësoi gjëra të cilat prindërit nuk kishin ditur t’ia mësonin.

“Në disa raste është shumë e vështirë të thuash jo kur je grua. Sepse mund të të pëlqejë dikush, por ende nuk je gati për atë hap, dhe ti mendon se duhet të jesh. Për gjëra të tilla, programi patjetër që më ndihmoi të fitoj besimin”.

Michael Carrera, tani mbi 70-vjeç, thotë se ende vjen me dëshirë për punë. Programi i tij përfshin aktualisht 4 mijë studentë, nga 12 shtete. Shtëpia e Bardhë nën administratën Obama e nderoi programin e krijuar prej tij me medaljen me motivacioni “risi sociale” dhe në vitin 2010 urdhëroi që fondet federale për edukimin seksual t’u jepen vetëm programeve që janë provuar të jenë të efektshme në pakësimin e numrit të shtatzanive tek adoleshentet, si programi Carrera.
XS
SM
MD
LG