Lidhje

Përfundon operacioni për Costa Concordian


Sot në mëngjes u bë e qartë shkalla e dëmit në anijen Costa Concordia, që u përmbys pranë ishullit italian të Giglios dhe kaloi njëzet muaj gjysmë e zhytur nën ujë. Anija u përplas me një shkëmb nënujor pranë ishullit Giglio më 13 janar të vitit të kaluar duke shkaktuar vdekjen e 32 vetave.

Gjatë operacionit 19 orësh i cili përfundoi sot në 4 të mëngjesit, anija 114,500 tonëshe e përmbysur u tërhoq me krikë dhe kabllo, deri sa arriti në pozicion vertikal. Ajo qëndron tani 30 metra nën ujë, mbi platforma të vendosura në fundin shkëmbor të detit.

Ndërsa dolën rrezet e para të diellit, shenjat se anija kishte kaluar një periudhë të gjatë mbi shkëmbinj filluan të dukeshin qartë.

Njollat kafe nga balta kishin përfshirë trupin e saj, i cili ishte dëmtuar pasi ishte shtypur nga vetë pesha e vet.

Duke u çlodhur në portin Giglio pas operacionit të mundimshëm, mjeshtri i operacioneve të shpëtimit Nicholas Sloane, tha megjithatë se dëmi kishte patur efekt çuditërisht të vogël në përpjekjet për ta rrotulluar anijen.

“Pjesa më e madhe e dëmit kishte ndodhur më parë, kështu që dëmtimet që ju shikoni janë në fakt rezultat i përpjekjes së anijes për t’iu përshtatur mjedisit. Prisnim që të ishte më e vështirë për ta nxjerrë, por në fakt ajo doli mjaft lehtë.” tha zoti Sloane.

Operacioni zgjati më shumë se 10-12 orë, siç ishte menduar më parë, por inxhinierët thanë se çdo gjë shkoi jashtëzakonisht mirë.

Anija është pjesë e një projekti shpëtimi, i vlerësuar të kushtojë më shumë se 600 milionë Euro. Ajo do të qëndrojë në vend për disa muaj, para se të rimorkiohet dhe të shitet për skrap.

Costa Concordia u përplas me një shkëmb nënujor pranë ishullit Giglio më 13 janar të vitit të kaluar për shkak se kapiteni e kishte afruar shumë pranë bregut. Përmbysja e anijes shkaktoi vdekjen e 32 personave.
XS
SM
MD
LG