Lidhje

KE: Shqipërisë t’i jepet Statusi kandidat


Rekomandimi i komisionit për vendet anëtare i pakushtezuar: Për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, vendit i kërkohet të përmbushë disa përparësi të reja kyçe

Komisioni europian rekomandon që “Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat me mirëkuptimin që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”: ky është formulimi i paraqitur sot vendeve anëtare të Bashkimit europian, ndërkohë që hapja e bisedimeve për anëtarësim kushtezohet me përmbushjen e detyrimeve për pesë përparësi kyce të identifikuara nga Brukseli. Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, tha sot se Shqipërisë i është ofruar një dialog i nivelit të lartë me komisionin europian për realizimin e objektivave për anëtarësim

Në ndryshim nga viti i kaluar kur rekomandimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë kushtëzohej me përmbushjen e tre reformave, atë të parlamentit, ligjin për Gykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil, këtë herë “Komisioni kthehet sërish, duke thënë se Shqipëria i ka mbajtur premtimet, përsa i përket kushteve, e përvec tyre edhe ato për zgjedhjet parlamentare. Këtë herë vijmë duke i propozuar vendeve anëtare se ka ardhur momenti që Shqipërisë t’i jepet statusi, me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi komizioneri për Zgjerimin Stefan Fyle.



Rekomandimi vjen pasi Komisioni vlerëson se “Shqipëria ka bërë përparim të mirë në rrugën e saj të integrimit europian, vecanërisht duke miratuar masa të cila janë identifikuar si thelbësore që vendi të përfitojë statusin kandidat si dhe duke ndërmarë reformat në fushat e përcaktuara si prioritete kyce në opinionin e Komisionit të vitit 2010. Shqipëria – vazhdon më tej vlerësimi i Komisionit – ka marrë hapat e para drejt përmirësimit të efiksasitetit të hetimeve dhe ndjekjes së rasteve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Zgjedhjet e 23 qershorit vlerësohen gjithashtu se “u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt”.

Vendimi përfundimtar pritet të merret në dhjetor, gjatë Këshillit të ministrave të vendeve anëtare, mes të cilëve megjithatë nuk mungojnë skeptikët. E duket se për t’ju përgjigjur këtij skepticizmi, Komisioni europian ka vendosur kushte të qarta për rekomandimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, sepse do të jetë po ky Këshill që do të duhet të vendosë për këtë kryesor në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Tiranës.

"Kemi përcaktuar edhe 5 prioritetet thelbësore që ndajnë Shqipërinë nga hapja e bisedimeve. Sepse Statusi i propozuar nga Komisioni dhe hapja e bisedimeve janë dy cështje të ndryshme. Për Komisionin europian, pikat e qarta për të rekomanduar hapjen e bisedimeve do të jenë lufta kundër korrupsonit, krimit të organizuar, gjyqësori, reforma administrative dhe liritë themelore dhe të drejtat e njeriut”, nënvizoi komisioneri Fyle.

Ai tha se Shqipërisë i është propozuar vendosja e një dialogu të nivelit të lartë me Brukselin në mënyrë që të trajtohen përparësitë kyce për hapjen e bisedimevë për anëtarësim, ndërsa theksoi edhe një herë rëndësinë e krjimit të një platforme gjithpërfshirëse për trajtimin përparësive. Ai saktësoi se shpresonte shumë që “qeveria të bëjë të pamundurën që dhe opozita aktuale të bëhet pjesë e këtij procesi”.

Raporti i Komisionit europian, ndërsa analizon përparimin e Shqipërisë, që bëri të mundur edhe rekomandimin e Statusit, identifikon dhe fushat ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për përmbushjen e plotë të kritereve politik, që nga dialogu politik, te forcimi i përgjegjshmërisë, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor”. Brukseli nënvizon se “rezultatet konkrete në hetimin ndjekjen dhe ndëhskimin e rasteve të korrupsionit në të gjitha nivelet duhet të përforcohen, duke ndërtuar mbi rezultatet e para të arritura”, ndërsa kërkohet të “përmirësohet më tej lufta kundër krimit të organizuar”. Po ashtu përmirësime kërkohen për cështjen e pronave, administratës publike apo dhe të drejtave të njeriut.
XS
SM
MD
LG