Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 25 tetor?

  • Astrit Lulushi

Geoffrey Chaucer

Geoffrey Chaucer

Punimet e Pablo Pikasos janë ekspozuar prej dekadash në shumë vende nëpër botë, por kurrë në Shqipëri para vitit 2010

1400 - Geoffrey Chaucer vdiq në Londër në moshën 57 vjeçare; i njohur si Ati i letërsisë angleze; poeti më i madh i anglishtes së mesjetës; i pari i varrosur në Këndin e Poetëve në Westminster Abbey. Sa ishte gjallë, Chauser fitoi famë si; shkrimtar, alkimist, filozof, astronom; ishte edhe nëpunës civil, shërbyes publik, burokrat, oborrtar, diplomat. Ndër veprat e tij të shumta, më e njohura; Përralla të Kanterbërit (Canterbury Tales). Chaucer është figurë e rëndësishme në zhvillimin e legjitimitetit të anglishtes, kur gjuhët mbizotëruese letrare në Angli ishin frëngjisht e latinisht. Fjalët e para anglisht të provuara në perdorim vijnë prej tij - Ato janë rreth dy mijë fjalë. Kjo nuk do të thotë se Chauseri ishte i parI që i futi ato në anglisht; por se për herë të parë janë gjetur në dorëshkrimet e tij; nisur nga kjo, shkencëtarët filologë nxjerrin se disa prej këtyre fjalëve kanë qenë në të folurën e përditëshme në shekullin e 14-të (sidomos në Londër), por edhe në pjesë të tjera të Evropës. Shumë nga fjalët në dorëshkrimet e Chaucerit të shekullit të 14-të, përdoren edhe sot: accident, agree, border, box, desk, digestion, dishonest, examination, finally, flute, funeral, galaxy, horizon, observe, session, superstitious, theatre, universe, vacation, vulgar, etj, janë disa prej tyre.
1881 - Lindi Pablo Pikaso, piktor dhe skulptor spanjoll (vd.1973). Pikaso, Henri Matisse dhe Marcel Duchamp konsiderohen si tre artistët të cilët me mënyrat e tyre orgjinale në artet plastike në dekadat e para të shekullit të 20-të, janë përgjegjës për zhvillime të rëndësishme në pikturë, skulpturë dhe artin e qeramikës. Pikaso ishte jashtëzakonisht pjellor në artin e tij. Numri i përgjithshëm i veprave që ai ka prodhuar arrijnë në rreth 50-mijë. Punimet e Pablo Pikasos janë ekspozuar prej kohësh në shumë vende nëpër botë, por kurrë në Shqipëri, para vitit 2010, kur pikturat e tij u bënë pjesë e një ekspozite në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Koleksioni prej 71 veprash, (me vlerë prej 26 milionë dollarësh), përveç Pikasos, kishte punime në kanvas nga artistë të tillë si; Paul Klee, Renee Magritte, Marc Chagall, Piet Mondrian, Francis Bacon, Anthony van Dyck, dhe Guido Reni, Andy Warhol etj. Këto piktura, pronë e koleksionistit Italian Francesko Martani, u ekspozuan në Shqipëri, më 2010, në kuadër të veprimtarive kulturore gjatë muajit të miqësisë italo - shqiptare.
1971 -Kombet e Bashkuara anëtarësojnë Republikën Popullore të Kinës dhe përjashtojnë Republikën e Kinës (Taivanin). Rezoluta e paraqitur nga Shqipëria, u mbështet nga shumica e vendeve komuniste, përfshi Bashkimin Sovjetik dhe vende të paangazhuara si India, së bashku me disa vende të Evropës Perëndimore, përfshi Britaninë dhe Francën, më vonë edhe Shtetet e Bashkuara.
2004 - Fidel Kastro, shpall se duke filluar nga 8 nëntori, në Kubë do të ndaloheshin transaksionet me dollarë - në dyqane do të pranoheshin vetëm pesot kubaneze. Kjo masë, tha presidenti kuban, është në përgjigje të politikave të ashpra amerikane ndaj këtij ishullit, dhe nuk do të prekë monedhat e tjera të huaja si euron, dollarin kanadez dhe sterlinën angleze.
Mendim ditës
“Fajtori mendon se gjithçka që flitet ka të bëjë me të.”
Geoffrey Chaucer
XS
SM
MD
LG