Lidhje

Facebook-u, emri më i madh mes rrjeteve sociale, feston sot 10 vjetorin e krijimit, kohë gjatë të cilës është zgjeruar nga një faqe interneti për studentët e një universiteti në një platformë që shtrihet në të gjithë botën me 1,23 miliardë përdorues.

Themeluesi dhe Drejtori Ekzekutiv i Facebook-ut Mark Zuckerberg publikoi sot një deklaratë në faqen e Facebook-ut të kompanisë, ku thotë se shpreson që 10 vitet e ardhshme t’i mundësojnë kompanisë të zgjerojë kapacitetet e saj. Ai tha se dëshiron që Facebook-u të ndihmojë njerëzit të zgjidhin probleme më të mëdha dhe më të rëndësishme se më parë.

"Tashmë duket se ka humbur paksa rolin si një vendtakim, por po fiton status të pabesueshëm si një mjet shërbimi. Unë e quaj një gjë të dobishme, pasi Facebook-u tani përdoret jo vetëm për t’u lidhur me njerëzit, por dhe për të gjetur persona dhe informacion në këtë listë globale gjigante. Aty gjendet gjithashtu galeria fotografike e gjithë prejardhjes tënde familjare, sepse tashmë prindër e gjyshër po vendosin fotografi të nipërve të tyre (duke u bërë “tag”). Po ashtu njerëz me të cilët kemi shkuar në shkollë tani gjejnë fotografi të vjetra nga fëmijëria e tyre, kështu që kemi një arkiv të gjerë fotografish të historisë sonë familjare dhe të jetës sonë shoqërore.''

Kompania Facebook nuk ka njoftuar plane publike për festime, por ky përvjetor ka nxitur shumë vëzhgues të reflektojnë mbi zgjerimin meteorik të kësaj faqeje interneti dhe mbi ndikimin e saj në rrjete të tjera sociale si Twitter, Instagram, dhe Snapchat.

Oferta fillestare publike në bursë e Facebook-ut në vitin 2012, nuk pati rezultate të mira, por që atëherë vlera e aksioneve të kompanisë është rritur në nivele rekord. Kompania ka një vlerë në rreth 157 miliardë dollarë, më tepër se shumë kompani të mëdha amerikane që ekzistojnë prej dekadash.

Ekspertët thonë se sfida kryesore e rrjetit social Facebook është të “rritet me hijeshi”, duke mbajtur gjallë interesin e përdoruesve të tij më të rinj, të cilët janë duke u zhvendosur në media sociale të reja, duke lënë prindërit e tyre mes përdoruesve kryesorë të Facebook-ut.

Pavarësisht nga ardhmja që e pret, Facebook-u tashmë ka lënë një shenjë të pashlyeshme në gjuhën e sotme me anë të termave të rinj që ka futur në të folurin e përditshëm.
XS
SM
MD
LG