Lidhje

Ish-presidenti Carter, libër kundër dhunës ndaj grave


Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se një në tre gra në tërë botën do të përjetojnë dhunë fizike ose seksuale në jetën e tyre. Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter e quan abuzimin e grave çështjen më serioze të të drejtave të njeriut me të cilën përballet bota sot. Në një intervistë me korrespondentin e Zërit të Amerikës Kane Farabaugh dhe në librin e tij “A Call to Action” – “Një Thirrje për Veprim,” ish-presidenti tregon rreth seriozitetit të abuzimit në shkallë globale dhe në Shtetet e Bashkuara. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe aktivistët shpresojnë të përdorin vëmendjen e tij tek çështja për të rritur ndërgjegjësimin në luftën kundër këtij problemi.

Historitë që dëgjon në punën e saj Elizabeth Powley e organizatës jo-fitimprurëse me bazë në Çikago, Heartland Alliance, janë të mbushura me dhimbje dhe vuajtje.
....si për shembull për ato që jetojnë në Haitin e shkatërruar nga tërmeti.

“Thjesht mungesa e dritave në rrugë gjatë natës e bën tejet të rrezikshme që gratë të dalin nga shtëpitë e tyre, për të marrë ujë ose çfarëdo që i nevojitet familjeve të tyre. Dhe kemi parë se incidentet e dhunës dhe përdhunimit të shtohen shumë menjëherë pas tërmetit.
Ka dhjetëra, mbase qindra gra në vit në Irak që i vënë flakën vetes për t’u vetëvrarë, ose detyrohen nga anëtarë të familjes të vrasin veten për shkak të shkeljeve të perceptuara të kodit të familjes ose nderit.”


“Problemi më serioz është vrasja e vajzave të vogla nga prindërit e tyre. Dhe abortimi i fetusit nëse merret vesh se do të jetë vajzë.”

Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter mësoi rreth këtyre abuzimeve nëpërmjet punës globale të qendrës me bazë në Atlanta Carter Center, ku abuzimi i grave ishte në qendër të një konference për të drejtat e njeriut në vitin 2013.

“Kemi punuar në 79 vende të ndryshme dhe kur kam qenë në ato vende por edhe nëpër Shtetet e Bashkuara, kam parë shembuj konkretë se sa keq trajtohen gratë dhe vajzat, më keq se sa mendojmë.”

Hulumtimi i tij mbi shtrirjen dhe thellësinë e abuzimit kundër grave u përmblodh në librin e tij të 28-të, “A Call to Action” i cili shqyrton kulturën dhe shkaqet e abuzimit. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara nuk janë të paprekura nga ky problem.

“Vendet më të rrezikshme për në Amerikë për abuzim seksual ose përdhunim të mundshëm janë kampuset e mëdha universitare, ku rreth një në katër gra sulmohet seksualisht ndërsa shkon në universitet. Vetëm rreth katër për qind, një në 25, e raporton përdhunimin.”

“Dhuna kundër grave është një çështje që i kapërcen kufijtë, nuk prek vetëm gratë jashtë vendit.”

Zonja Powley e konsideron presidentin Carter një aleat në luftën kundër abuzimit të grave dhe thotë se zëri i tij ndihmon në luftën ndaj pikëpamjeve dhe qëndrimeve që kanë zënë rrënjë, sidomos mes meshkujve.

“Dhuna me bazë gjinore nuk do të zgjidhet nëse vetëm gratë janë ato që duan ta zgjidhin, kështu që ai sjell një zë shumë të rëndësishëm në bisedë.”

Ajo thotë se një nga mënyrat më të mira për të frenuar dhunën në rritje është nëpërmjet edukimit të djemve të rinj të respektojnë gratë, gjë që çon në marrjen e vendimeve më të mira kur të rriten.
XS
SM
MD
LG