Lidhje

Presidenti Nishani, kritika ndaj qeverisë


Nishani
Nishani
Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani lëshoi kritika të forta ndaj qeverisë duke i kërkuar asaj “të ndalojë sulmet ndaj kreut të shtetit dhe shantazhet ndaj sistemit gjyqësor”. Qëndrimin e tij presidenti Nishani e ka shprehur në një shkrim të gjatë të publikuar sot prej tij në gazetat kryesore të vendit.

Presidenti merr shkas nga nga dy letra që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka dërguar atij disa ditë më parë ku ai kërkon ndërhyrjen e tij si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të marrë masa ndaj disa gjyqtarëve që sipas zotit Tahiri kanë lënë të lirë, pa argumenta, persona të rrezikshëm.

Por sipas presidentit Nishani kërkesa e ministrit të Brendshëm është një lëvizje “manipulative trashanike” dhe “diçka joserioze dhe e padenjë” që sipas tij synon të shmangë kritikat për fluksin në rritje të kriminalitetit.

Presidenti konsideron se vendimet e Drejtësisë duhen respektuar dhe se veprimtaria e gjykatave vlerësohet nga gjykatat e nivelit më të lartë.

Përplasjet mes palëve kanë nisur prej kohësh, dhe janë shtrirë në cështje të ndryshme, që nga ato për rrëzimin nga ana e shumicës të kandidaturave të zotit Nishani për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, te refuzimi nga ana e presidentit për dekretimin e disa ambasadoreve, te debati lidhur me Shërbimet Sekrete, te emërimet dhe lëvizjet në fushën e mbrojtjes, apo së fundi edhe mbi ndryshimet e pritshme që ministria e Mbrojtjes propozon në ligjin për Komandimin e Forcave të armatosura, të cilat duket se prekin disa kompetenca të presidentit.

Një pjesë e tyre parashikohet t’i kalojnë kryeministrit. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi sot se asnjë kompetencë kushtetuese e presidentit nuk do të preket.
XS
SM
MD
LG