Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 22 prill?


Bastille
Bastille
1370 - Fillon ndërtimi i kështjellës së Bastijes – qëllimi ishte për të mbrojtur Parisin nga sulmet angleze gjatë Luftës 100-vjeçare Angli - Francës. Por me kalimin e kohës, Bastija u bë sinonim burgu e torture nga mbreti ndaj nënshtetasve të vet. Sipas arkivave të Bastijes, që ruhen sot në bibliotekën kombëtare të Francës, citohet se, nga vitet 1774 dhe 1789 në kështjellën e Bastijës mbaheshin 54 persona të akuzuar për grabitje; 31 për përfshirje në revolta kundër urisë; 11 për sulme me dhunë; 62 redaktorë, gazetarë, botues, shkrimtarë që kishin shkruar duke kritikuar mbretin për gjendjen në vend - dhe kishte relativisht pak të burgosur për vepra të rënda kundër shtetit. Volteri bëri 1 vit burg në Bastije për shkak të shkrimeve të tij satirike. Bastija ishte vendi i troturave të shumta, megjithëse historia e njeriut me maskë të hekurt, mendohet të jetë e sajuar. Pas rënies së Bastijes, më 14 korrik 1789, pajisjet metalike të torturave, përfshi zinxhirë e pranga u shkrinë dhe me to u krijua një altar. Bastija u bë simbol i fuqishëm i republikës franceze gjatë gjithë shekullit të 19-të, dhe dita e rënies së saj, festohet prej vitit 1790. Napoleon Bonaparti, i cili përmbysi republikën e parë, u përpoq ta zvogëlojë vlerën e Bastijen si simbol çlirimi nga monarkia, dhe fillimisht konsideroi ndërtimin e Harkut të Triumfit për veten dhe Francën. Çelësi i Kështjellës së Bastijes iu dhurua George Washingtonit në vitin 1790 nga francezi Lafayette, dhe ndodhet i ekspozuar në shtëpinë historike muze të Uashingtonit në Mount Vernon, Virxhinia.

1500 - Eksploruesi Pedro Alvarez Cabral zbulon Brazilin dhe e shpall atë territor të Portugalisë. Flota e tij prej 13 anijesh lundroi në Oqeanin Atlantik në perëndim, ndoshta qëllimisht, dhe zbarkoi në atë që Kabral mendoi se ishte ishull i madh. Pasi eksploroi bregun, e kuptoi se ndodhej në një kontinent - Kontinenti ishte Amerika e Jugut, dhe vendi që ai kishte zbritur u bë i njohur si Brazil. Pas kësaj Pedro Alvarez Kabral (1468 – 1520) u kthye në drejtim të lindjes për të rifilluar udhëtimin në Indi.

1724 - Lindi Immanuel Kant, në Konigsberg, Prusi ( prej vitit 1946 qyteti Kaliningrad, Rusi). Kanti - filozof gjerman - njihet për veprën e tij “Critique of Pure Reason”. Ai shihet si figurë qendrore e filozofisë moderne. Kant argumentoi se pikëpamjet krijohen nga konceptet e njeriut për botën dhe ligjet, dhe se arsyeja është burimi i moralit. Deri atëherë, mbizotëronte vetëm idea se njohja duhet të jetë analitike, dhe si rrjedhim, e pavarur nga përvoja, p.sh., "një njeri inteligjent është njeri". Ky është gjykim analitik sepse arrihet në të duke analizuar temën - thoshte Kanti – por nëse duke u përpjekur për të mohuar çdo gjë a-priori (nëpërmjet kuptimit), atëherë "një njeri inteligjent nuk është njeri", dhe kjo do të përbënte kundërthënie. Mbi këtë mbështet idea se ligji i kontradiktës është i mjaftueshëm për njohuri nëpërmjet kuptimit ose a-priori.

1876 – Pjeter Iliç Çaikovski përfundon kompozimin e baletit "Liqeni i Mjelmave". Skenari, fillimisht me katër akte, mbështetet në tregime popullore ruse dhe tregon historinë e Odetës, një princeshë, që u shndërrua me magji në mjelmë. Kritikët thonë se Çajkovski e kompozoi këtë kryevepër me shumë passion, dhe se kjo del qartë nga shpejtësia me të cilën e kreu atë - brenda një viti.

1884 – Për here të pare: Amerikano - britaniku Thomas Stevens fillon udhëtimin me biçikletë rreth botës, i cili zgjati 2 vjet e 9 muaj.

1913 - Pas një rrethimi të gjatë, trupat e Malit të Zi marshojnë në Shkodër - të nesërmen, flamuri malazez u ngrit në kalanë e qytetit, dhe Esad Pashë Toptani me trupat e tij largohen.

1970 - Vëzhgohet për herë të parë Dita e Tokës. Edhe pse Amerika kishte mbetur pas në shqetësimet mjedisore, skena për ndryshime mendësie ishte krijuar me botimin në New York të librit Silent Spring nga Rachel Carson në vitin 1962. Libri u bë ndër më të shiturit, dhe sot shihet si një moment kthese për lëvizjen mjedisore - Silent Spring, përkthyer në 24 gjuhë, vazhdon të nxisë vetëdijen e njerëzve dhe qeverive për organizmat e gjalla, mjedisin dhe shëndetin publik.

1994 – Vdiq ish-presidenti Richard M. Nikson - nga një goditje në tru - në moshën 81 vjeçare. Ai kujtohet si presidenti i vetëm amerikan që ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Nikson u tërhoq në vitin 1974, në mes të mandatit të tij të dytë, që të mos përballej me fajësim për përpjekjet për të mbuluar aktivitetet e paligjshme nga anëtarë të administratës në skandalin Watergate. ish-kongresmen republikan dhe senator nga Kalifornia, Nikson shërbeu dy mandate si nënpresident i Dwight Eisenhowerit në vitet 1950. Në vitin 1960, Nixon humbi në përpjekjen për presidencën në një garë të ngushtë me demokratin John F. Kennedy. Ai kandidoi për Shtëpinë e Bardhë përsëri në vitin 1968 dhe fitoi. Si president, arritjet Niksonit përfshijnë përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike me Kinën dhe Bashkimin Sovjetik, dhe tërheqjen e trupave nga një luftë jo-popullore në Vietnam. Megjithatë, përfshirja në skandalin Watergate dëmtoi trashëgiminë e tij dhe thelloi cinizmin e amerikanëve për qeverinë.

2000 – Agjentë të armatosur të emigracionit marrin me force fëmijën Elian Gonzalez nga shtëpia e të afërmve në Miami, Florida, për ta ribashkuar me babain e tij në Kubë. Gonzales kishte lindur në Kubë. Nëna e tij vendosi të arratisej dhe e mori djalin 7 – 8 vjeçar me vete. Gjatë udhëtimit, varka u përmbys, nëna vdiq, Gonzales shpëtoi dhe roja bregdetare amerikane e solli në Miami ku ai kishte të afërmit. Në Kubë, babai i Gonzales kërkoi kthimin e djalit. Saga Elian Gonzales ekspozoi ndarje të thella mes banorëve në kontenë Miami-Dade. Pati protesta në favor të Elianit për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe demonstrata të ngjashme në favor të dërgimit në Kubë. Analistët kanë sugjeruar se çështja Gonzales mund të ketë qenë faktor në vendimin e votuesve në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara 2000, kur kandidati Al Gore humbi ndaj Xhorxh Bushit. Demokratët në pushtet përkrahnin kthimin e Gonzales në Kubë, republikanët ishin kundër, ashtu si edhe emigracioni politik kuban – dhe në kontenë Dade të Miamit, nga ku Gonzales u morr me forcë, ndodhi edhe numërimi më i vështirë i votave.

Mendim i ditës
"Shkenca është njohuri e organizuar. Urtësia është jetë e organizuar".
Immanuel Kant
XS
SM
MD
LG