Lidhje

Strategjia për shtetin islamik


Presidenti Barack Obama do të bëjë të njohur sonte planin e tij për të mposhtur militantët e Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme. Le të shikojmë se cilat janë elementët kryesorë të strategjisë dhe çfarë mendojnë ekspertët se është e nevojshme për sukses.

​Ushtria amerikane ka kryer më shumë se 150 sulme ajorore në mbështetje të forcave që luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak. Por objektivi ka qënë i kufizuar. Ushtria thotë se presidenti Obama nuk ka udhëzuar për të vënë në shënjestër udhëheqësit e Shtetit Islamik, ashtu si kanë qënë në objektiv drejtuesit e Al-Kaidës dhe al-Shababit.

Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel thotë se ata kanë udhëzime të qarta.

"Të mbrohen njerëzit tanë dhe infrastruktura në Irak.”

Por ekspertët thonë se mposhtja e militantëve të Shtetit Islamik do të kërkojë shumë më tepër.

Stephen Biddle punon në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë:

Deri më sot ka patur një mospërputhje mes asaj që kërkohet të arrihet dhe mënyrës për ta arritur. Një strategji që do të kishte kuptim do t’i vinte në një linjë këto dy komponentë”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha se presidenti nuk po shqyrton dërgimin e trupave tokësore në Irak apo Siri.

"Kjo nuk është një luftë ku mund të hyjnë Shtetet e Bashkuara," tha zëdhënësi.

Shtetet e Bashkuara po krijojnë një koalicion partnerësh për të goditur Shtetin Islamik. Sekretari i Mbrojtjes Hagel ka vizituar shumë vende për të diskutuar mbi kërcënimin në rritje. Por edhe aleatë të fuqishëm si Turqia kanë shfaqur hezitim për të luftuar.

Barra e luftimeve ka rënë kryesisht mbi forcat irakiane dhe kurde. Koloneli në pension Jeff McCausland i tha televizionit Alhurra se ushtria amerikane është e predispozuar t’i ndihmojë ata.

"Pjesë e asaj që Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjatë muajve të fundit me ushtarët që kemi dërguar në Irak, që numërohen në gati 1,000, është jo vetëm përmirësimi i sigurisë në postet tona diplomatike në Irak, por edhe një vlerësim së bashku me ushtrinë irakiane rreth kërkesave të tyre dhe të ushtrisë kurde".

Ai thotë se koalicioni duhet të mbështesë edhe ata që luftojnë militantët e Shtetit Islamik në Siri.

Zoti Biddle thotë se ka një problem.

"Ky është një program tërësisht i varur nga aleatët lokalë në terren dhe nuk shpjegon se si saktësisht do të tejkalohen problemet politike dhe efikasitetin e këtyre aleatëve, është shumë i papërcaktuar."

Ai thotë se ushtria irakiane duhet të bëhet më pak e politizuar nëse kërkon të luftojë kërcënimet e huaja. Dhe kjo varet më shumë nga forca e qeverisë së re irakiane sesa nga stërvitja dhe strategjia amerikane.

XS
SM
MD
LG