Lidhje

Reforma e imigracionit në SHBA


Beteja për reforma në politikat e imigracionit këtu në Shtetet e Bashkuara pritet të krijojë një përplasje të re politike në Uashington.

Pas fitores së qartë të republikanëve në zgjedhjet e së martës për Kongres, Presidenti Barak Obama është zotuar të gjejë gjuhën e përbashkët për disa akte ligjore me ligjvënësit e opozitës, të cilët do të fillojnë në janar mandatet e reja në Kongresin që për herë të parë që nga 2007 do të mbizotërohet nga republikanët në të dyja dhomat.

Por zoti Obama tha në një konferencë për shtyp këtë javë se para përfundimit të vitit do të marrë masa të njëanshme për të ndryshuar politikat e imigracionit, një hap që do të kundërshtohej me forcë nga pjesa më e madhe e ligjvënësve republikanë dhe atyre demokratë.

Masat që është zotuar të marrë zoti Obama, në varësi të përmasave të tyre, mund të lejonin miliona imigrantë që janë futur në mënyrë të paligjshme gjatë viteve, të lejohen të qëndrojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara. Senati që është kontrolluar deri tani nga demokratët, miratoi mbi një vit më parë ndryshime të gjithanshme në politikat e imigracionit për t’u dhënë mundësi imigrantëve pa dokumenta të bëheshin shtetas amerikanë.

Por shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve nuk ka hedhur në votë propozime për reforma, duke e bërë presidentin të thotë se do të veprojnë në mënyrë të njëanshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG