Lidhje

Mustafa: Koalicioni me PDK-në – i vështirë por s'kishte rrugë tjetër


Kryeministri i sapo zgjedhur i Kosovës, Isa Mustafa, i tha Zërit të Amerikës se qeveria e tij do të jetë e përkushtuar për zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit por edhe vazhdimin e bisedimeve me Beogradin, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe çdo forme të ekstremizmit. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Mustafa tha se koalicioni me Partinë Demokratike ishte vendim i vështirë, por u bë i domosdoshëm për çuar në vend vullnetin e qytetarëve të shprehur në votë dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, ju sot morët përsipër drejtimin e qeverisë së re të Kosovës që përbëhet nga dy parti rivale të vjetra. Si prisni funksionimin e saj?

Isa Mustafa: Mendoj që do të funksionojë mirë. Mendoj që kemi krijuar raporte konstruktive dhe pozitive sa i përket synimeve tona themelore të qeverisjes së vendit. Kemi punuar mjaft gjatë në një program qeverisës i cili përfshinë fusha të rëndësishme për ne. Por, i cili ngërthen orientimet gati të njëjta të LDK-së dhe PDK-së, si në sferën e zhvillimit ekonomik, në sferën e forcimit të shtetit ligjor, në sferën e integrimeve evropiane, të partneritetit ndërkombëtarë dhe po ashtu edhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që është një sfidë shumë e rëndësishme për ne, por edhe të gjitha ekstremizmave të tjerë.

Zëri i Amerikës: Por me këtë parti keni këmbyer shpesh akuza shumë të ashpra me njëri tjetrin. Si mund të pasqyrohet kjo në funksionimin e koalicionit?

Isa Mustafa: Nuk ka qenë lehtë sepse kemi bërë kthesa të shpejta. Është krijuar një klimë në teren edhe tek anëtarësia e LDK-së edhe tek qytetarët se LDK-ja duhet ta krijojë vet qeverinë, ose ta bëjë me partitë opozitare në mënyrë që PDK-ja të shkonte në opozitë. Por realiteti është tjetër. Ne kemi një sistem kushtetues i cili na ngushton sepse kemi 20 vende të garantuara për minoritetet, prandaj asnjë parti nuk arrin të marrë votat e mjaftueshme me të cilat ajo do të siguronte dhe të bënte një koalicion ashtu siç dëshiron. Ne në këtë rast ju kemi përshtatur një realiteti, por ju kemi përshtatur edhe një synimi dypalësh që para së gjithash të vëmë në spikamë dhe në fokus qeverisjen e mirë të vendit, nevojën që të bëhen ndryshime edhe përkundër asaj që PDK-ja ka vazhduar të qeverisë rreth 7 vjet dhe t’i përshtatemi kërkesave që i ka komuniteti ndërkombëtar edhe SHBA, para së gjithash si shtet me të cilin ne dëshirojmë të ndërtojmë marrëdhënie speciale, miqësi të përhershme, ashtu siç Presidenti Rugova gjithmonë theksonte dhe që ka mbetur si dëshirë, obligim dhe synim yni i përhershëm. Por, po ashtu edhe me shtetet e BE-së dhe vendet e tjera mike me të cilat kemi shumë interes të thellojmë bashkëpunimin dhe të marrim përvojat më të mira nga ato që të zhvillojmë edhe ekonominë, por edhe demokracinë në vendit tonë.

Zëri i Amerikës: Gjatë këtyre gjashtë muajve sa Kosova ka mbetur pa institucione, ju keni pasur një marrëveshje me partitë që sot janë në opozitë e pastaj keni ndryshuar qëndrim. Kjo ka bërë që ato të jenë mjaft kritike ndaj jush, madje edhe siç thonë edhe për “tradhti” ndaj asaj marrëveshjeje. Si do të punoni ju me opozitën pas këtyre zhvillimeve të gjashtë muajve të fundit?

Isa Mustafa: Po unë mendoj se të gjithë duhet të jemi realist. Mendoj se të gjithë duhet të jemi koshient karshi asaj se çfarë në kemi punuar bashkërisht me AAK-në, me Nismën... me Vetëvendosjen. Kemi bërë të gjithë përpjekje që të realizohet qëllimi ynë. Mirëpo, këto përpjekje i ka vënë në pikëpyetje vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilin ne e kemi pranuar si LDK, e ka pranuar edhe AAK edhe Nisma dhe po ashtu edhe kriteret që janë deklaruar nga presidentja e Republikës së Kosovës lidhur me mënyrën e nominimit të mandatarit të qeverisë së Republikës së Kosovës, ku është thënë që përpos kritereve të shumicës, duhet të jenë edhe kriteret e partneritetit evropian, të dialogut, të implementimit të marrëveshjeve nga dialogu dhe të përfshirjes së pakicave në qeveri, gjë që ne e kemi pasur gjithmonë synim. Prandaj, kur kemi shterë të gjitha mundësitë dhe kemi parë se është e pamundur dhe po ashtu kur kemi vlerësuar se në çfarë forme mund t’i bëjmë më mirë Kosovës dhe të dalë nga kjo situatë, në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së kemi vendosur që ne të marrim përgjegjësi për qeverisje, të hapim mundësi që të bisedojmë me të gjitha subjektet politike edhe shqiptare edhe jo shqiptare. Dhe natyrisht duke përfshirë dhe duke akceptuar edhe kushtet tona, jo si kushte ekskluzive, por si kushte të vullnetit të mirë për qeverisje, të bëjmë me atë parti me të cilën gjejmë gjuhë të përbashkët dhe me të cilën mund ta kalojmë këtë situatë, sepse nuk do të kishte kuptim që vullneti i qytetarëve i shprehur në votë, të flakej në këtë periudhë dhe të rrezikonim edhe njëherë të shkonim në zgjedhje të reja.

Zëri i Amerikës: Ka pasur shprehje të pakënaqësisë edhe në partinë tuaj për koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike. Madje kjo bëri që disa deputetë të mos votojnë qeverinë e re. Sa mund të ndikojnë këto pakënaqësi në funksionimin e qeverisë suaj?

Isa Mustafa: Unë mendoj se nuk ndikojnë fare. Unë i konsideroj ato si pakënaqësi individuale që nuk janë të lidhura shumë me motive dhe kritere politike, sepse kriteret dhe orientimet politike i përcakton organi më u lartë i LDK-së, Këshilli i përgjithshëm i LDK-së. Ai e ka thënë fjalën e vet. Ne kemi biseduar gjatë në këshillin e përgjithshëm para tre javësh, rreth katër orë, kanë diskutuar të gjithë ata që kanë dashur të diskutojnë. Është votuar dhe me 74 vota kundrejt 7 votave kundër është marrë vendimi që ne mund të bisedojmë dhe mund të bëjmë koalicion me të gjitha subjektet e tjera, duke mos përjashtuar edhe PDK-në. Tash ne jemi në një periudhë para zgjedhjeve në LDK, jemi në një periudhë kur individët kanë dëshirë të reflektojnë para opinionit dhe harrojnë detyrimet e tyre ndaj LDK-së dhe politikave të LDK-së. Por, unë kam qenë i bindur se e kemi gjithmonë vullnetin e shumicës, Ky vullnet është treguar edhe te LDK-ja edhe te PDK-ja që kanë qenë shumë konsekuent në këtë votim, por edhe tek përkrahja e komuniteteve jo shumicë, prandaj vendimi është meritor dhe është vendim që ne të gjithëve na detyron që të punojmë mirë. I detyron që të punojnë mirë edhe ata që nuk kanë votuar për arsye personale të tyre.

Zëri i Amerikës: Në kritikat edhe në partinë tuaj përmendet shpesh konfrontimi juaj me ish SHIK-un dhe shefin e tij që aktualisht është kryetar i parlamentit të Kosovës. Si do të funksionojë kryeministri aq kritik me një ish rival të tillë që tash është në krye të parlamentit?

Isa Mustafa: Po ne jemi në një demokraci parlamentare, në të cilën ne nuk mund të zgjedhim se kush i merr votat për deputet të Kuvendit të Kosovës. Ne do ta respektojmë këtë. Ne kemi përcaktuar kriteret që asnjëri që është i dënuar, asnjëri që është me aktakuzë, nuk mund të marr pozita qoftë në qeverinë e Kosovës, apo pozita të tjera në organet e Republikës së Kosovës. Mirëpo, natyrisht ne nuk mund të paragjykojmë në pikëpamje të perceptimit të opinionit, sepse ka pasur perceptime në lidhje me SHIK-un, ka perceptime që janë të papranueshme për LDK-në. Por, ne me këto perceptime nuk mund të ndërtojmë institucionet e Kosovës, sepse kemi kushtëzime mjaft të mëdha, kemi një orientim të LDK-së që të mos mbetet në opozitë, por të merr përgjegjësi të qeverisë. Mendoj që është orientim i mirë, sepse ne nuk mund të shikojmë nga kodra se çfarë po ndodhë në Kosovë e vetëm të bëjmë vërejtje, por duhet të bëhemi pjesë e zgjidhjes së problemeve të Kosovës, sepse gjeneratat po krijohen, po rriten. Ato kërkojnë zgjidhje dhe në atë nuk mund të bëjmë vetëm nëse luajmë një rol pasiv, një rol vetëm të kritikave ndaj pozitës. Për këtë nuk dalim në zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Votimi i qeverisë që duhej të bëhej dje u shty për sot për shkak të kërkesave shtesë të deputetëve serbë. Si i bindët ata të kthehen në Parlament? Çfarë ofertë kishit për ta?

Isa Mustafa: Të them të drejtën nuk ka pasur ndonjë dallim nga ajo çfarë mbrëmë kemi biseduar me ta dhe zgjidhjen që kemi bërë sot. Zgjidhja është gati e njëjtë. Atyre u është dashur një periudhë kohore që të konsultohen me strukturat e tyre. Unë nuk e di me kë krejt janë konsultuar. Mirëpo, ne kemi biseduar dje, kemi biseduar edhe sot në mëngjes dhe sot në mëngjes i kanë pranuar ato çështje për të cilat kemi diskutuar dje. Kërkesat e tyre nuk janë të mëdha, nuk janë kërkesa që nuk mund t’i realizojmë. Ka të bëjë me përfaqësimin e tyre në qeveri: ata kanë marrë dy ministri për të cilat janë përcaktuar. Kanë marrë një pozitë të zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës. Kanë marrë rolin e zyrës së komuniteteve që ata do ta drejtojnë. Kanë propozuar që t’i përkrahim në procesin e kthimit të atyre që janë zhvendosur nga Kosova, t’i përkrahim në procesin e ndryshimeve që duhet bërë në procesin e privatizimit, në mënyrë që firmat që privatizohen në komunat me shumicë serbe të dallojnë nga privatizimi i rëndomtë që bëhet, për t’u siguruar serbëve atje që edhe ata mund të jenë blerësit potencial të këtyre firmave që është mirë sepse do të punësohen në to dhe do të zhvillojnë ekonominë e tyre. Kanë kërkuar po ashtu që të kujdesemi për pronat kishtare që të trajtohen sipas ligjit dhe për të gjitha pronat ku ka vendime për kthimin e tyre dhe po ashtu që të bëhet implementimi i marrëveshjeve të Brukselit sa i përket asociacionit të komunave që ne e konsiderojmë si asociacion vullnetar që nuk ka fuqi ekzekutive që nuk merr asgjë nga pushteti lokal dhe pushteti qendror, por është një organ që bashkërendon interesat e komunave qoftë në zhvillimin ekonomik, qoftë në synimet tjera të pushtetit lokal.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, t’u kthehemi sfidave që ndodhen para jush, Përmendet asociacionin e komunave me shumicë serbe që është rrjedhojë e bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Cila do të jetë qasja juaj ndaj këtij procesi?

Isa Mustafa: Po ne do të vazhdojmë me bisedime gjithsesi. Do të vazhdojmë me formatin e bisedimeve që është ndërtuar në Bruksel dhe në Kosovë. Do të mundohemi që të rrisim rolin e Kuvendit të Kosovës sa i përket transparencës së bisedimeve. Dhe po ashtu do të punojmë shumë në zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur në Bruksel. Ne jemi të interesuar që bisedimet të zhvillohen, jemi të interesuar që të relaksojmë maksimalisht raportet me Serbinë, me komunitetin serb brenda, sepse krijimi i marrëdhënieve të mira me komunitetin serb ndikon që këto raporte të ndërtohen mbi atë bazë edhe me Serbinë si shtet fqinjë. Këtu ne shohim një rol të veçantë jo vetëm të Brukselit, por një rol të veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat gjithmonë e kanë përkrahur këtë proces dhe kanë dhënë kontributin e tyre, në mënyrë që ky proces të zhvillohet shpejt dhe të jetë një proces që është në interes të të dyja palëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, në mesin e sfidave është edhe ligji për luftëtarët e huaj që synon pengimin e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftëra si ajo në Siri. Sa e rrezikon sigurinë shtetërore por edhe të qytetarëve të Kosovës dukuria e përfshirjes së qytetarëve në luftërat e huaja?

Isa Mustafa: Unë mendoj që është e pakuptimtë përfshirja e qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë Kosovës dhe është e papranueshme për çdo qytetar të Republikës së Kosovës. Pengimi i kësaj nuk bëhet vetëm më akte dhe apele morale, por duhet të bëhet me ligj. Ne jemi të gatshëm që menjëherë ta procedojmë ligjin në parlamentin e Republikës së Kosovës, që të aprovohet që ligji të harmonizohet edhe lidhur me kërkesat që janë bërë në Këshillin e Sigurimit dhe kërkesat të cilat kanë dalë nga propozimet që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë lidhur me sigurinë në pikëpamje të aspektit të ndërkombëtar, po edhe që sanksionet të jenë ato të cilat parandalojnë me çdo kusht pjesëmarrjen, sepse askush nuk ka të drejtë që të shkojë nga Kosova dhe të marrë pjesë në konflikte jashtë dhe viktimat që do të jenë jashtë të jenë pjesë e pjesëmarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës?

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, sigurisht rastësi, ju u zgjodhët kryeministër në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, që Kosovën e gjen në mesin e vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit. Përse është një gjendje e tillë zoti kryeministër?

Isa Mustafa: Kosova është në gjendje shumë të rëndë sa i përket korrupsionit, që pastaj po shprehet në forma të ndryshme, të pavolitshme në gjendjen edhe sociale edhe ekonomike edhe në stabilitetin e qytetarëve. Ne kemi tani shpërngulje të qytetarëve, sidomos të njerëzve të rinj nga Kosova për arsye se nuk ka vende të punës. Por, njëkohësisht kemi pengim të ardhjes së investimeve të jashtme për shkak të prezencës së madhe të korrupsionit, të krimit dhe mos sigurisë së investitorëve të jashtëm. Domosdoshmërisht, ne duhet ta forcojmë luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar në të gjitha sferat. Ne kemi paraparë që të shkojmë në prokurimin publik, në tenderët që zbatohen për pronat publike tek institucionet qeveritare dhe institucionet tjera publike, në mënyrë që të eliminojmë sa më shumë ndërhyrjen korruptive në këtë proces të prokurimit. Por, po ashtu mendojmë se është e domosdoshme që të vërtetohet dhe vlerësohet pasuria e çdonjërit prej bartësve të funksioneve të larta shtetërore, në mënyrë që të vërtetohet se nga ka rrjedhur ajo? A ka baza reale të një pasurimi të tillë? Dhe të ndërprejmë tendat e tilla, të krijojmë besim te qytetarët para së gjithash dhe të krijojmë besim në institucionet e Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: A keni drojë për këtë luftë?

Isa Mustafa: Nuk është luftë e lehtë Por, nëse nuk e bëjmë, atëherë është e pakuptimtë edhe pjesëmarrja jonë në këtë qeverisje. Ne duhet ta bëjmë këtë domosdoshmërisht. Unë e kam parë edhe vullnetin e PDK-së dhe zotit Thaçi, që ne bashkërisht t’i qasemi kësaj lufte. Është një proces që nuk është afatshkurtër. Është një proces afatgjatë, por që do t’i shërbej shumë Kosovës, do t’i shërbej po ashtu edhe inkuadrimit tonë në të gjitha institucionet ndërkombëtare qoftë BE apo të tjera ndërkombëtare dhe përfitimet tona që do t’i kemi nga ato institucione, por edhe besimin që duhet ta krijojmë përmes një sjelljeje shtetërore, përmes zbatimit të rregullave, të ligjit, në mënyrë që të mos keqpërdoren edhe investimet që behën nga taksapaguesit e vendeve tjera por assesi të mos keqpërdoren edhe taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG