Lidhje

2014 viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë

  • Lisa Schlein

Organizata Botërore Meteorologjike thotë se 2014 mund të jetë viti më i nxehtë ndonjëherë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara thotë se temperaturat në tokë dhe oqeane në mbarë botën i tejkaluan temperaturat mesatare nga muaji janar deri në tetor dhe duket se kjo prirje do të vazhdojë.
Organizata Botërore Meteorologjike njofton se temperaturat e larta rekord janë kryeisht rezultat i rritjes së temperaturës së sipërfaqeve ujore globale, që duket se do të vazhdojnë të jenë mbi normalen edhe gjatë vitit që po vjen.

Organizata thekson se temperaturat e regjistruara që nga janari ndodhën në mungesë të formimit të plotë të stuhisë El Nino, fenomen ky që ngroh ujin e Oqeanit Paqësor dhe shkakton nxehjehn e atmosferës. Në vitet kur vërehet fenomeni El Nino temperaturat janë zakonisht më të larta.

Shefi i agjencisë ndërkombëtare për motin, Michel Jarraud, thotë se të dhënat paraprake për 2014 tregojnë se 14 nga 15 vitet më të nxehta te regjistruara ndonjëherë kanë ndodhur në shekullin 21. Ai thotë se temperaturat po rriten si rezultat i koncentrimit më të lartë të gazeve që krijojnë efektin serrë në atmosferë, të shkatuara nga njeriu.

“Lajmi shqetësues është se rritja e temperaturave nuk po ngadalësohet por po përshpejtohet. Është lajm tejet shqetësues, sepse nëse nuk ndërmerren masa, jeta do të vështirësohet së tepërmi.”

Shkencëtarët pajtohen se temperaturat nuk duhet të lejohet rritja me deri në 2 gradë celsius përtej niveleve paraindustriale, në mënyrë që të shmangen ndryshime të rrezikshme klimatike. Për të qendruar brenda limitit prej dy gradësh, thonë ata, ndotjet duhet të ulen dramatikisht gjatë 50 viteve të ardhëshme.

Deklarata paraprake mbi gjendjen klimatike të globit gjatë vitit 2014 koincidon me negociatat ndërkombëtare për ndryshimet klimatike që po zhvillohen në Lima të Perusë.

Raporti tregon se temperaturat e oqeaneve këtë vit ishin më të lartat të regjistruara ndonjëherë. Shefi i organizatës ndërkombëtare për motin, Jarraud, i tha Zërit të Amerikës se oqeanet thithin rreth një të katërtën e dioksidit të karbonit që prodhojnë njerëzit.

“Pa oqeanet, dioksidi i karbonit do të mbetej në atmosferë. Ndaj koncentrimi do të ishte i lartë dhe ngrohja do të ishte edhe më e lartë si pasojë. Por kemi të bëjmë edhe me diçka tjetër. Si rezultat i ngrohjes globale, oqeanet zgjerohen dhe rritet niveli i detit. Ndikimi tjetër është shkrirja e akullnajave si ato në Antarktidë dhe Groenlandë.”

Raporti bën lidhjen e një numri të madh zhvillimesh atmosferike me ndryshimet klimatike. Raporti detajon shirat e mëdha rekord dhe përmbytjet në vende si Britania, Rusia dhe vende të tjera evropiane po ashtu në Azi, Amerikën Latine dhe Amerikën e Veriut.

Në të njëtën kohë, një thatësirë e madhe ka përfshirë Kinën verilindore, pjesë të Amerikës Qendore, perëndimin e Shteteve të Bashkuara dhe Australinë. Agjencia ndërkombëtare për motin regjistroi 72 stuhi tropikale deri në mesin e nëntorit duke lënë të hapur mundësinë për stuhi të tjera para fundit të vitit.

XS
SM
MD
LG