Lidhje

Nju Jork, funeral për policin e vrarë


Mijëra policë nga i gjithë vendi u mblodhën në qytetin e Nju Jorkut për varrimin e njërit prej dy policëve të vrarë një javë më parë.

Më shumë se 25.000 oficerë policie në uniformë mbushën rrugët jashtë një kishe në lagjen Queens për të nderuar oficerin e vrarë Rafael Ramos.

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, Guvernatori i shtetit Nju Jork, Andrew Cuomo dhe kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio mbajtën fjalime në kishë për nder të oficerit Ramos. Të pranishëm ishin qindra njerëz, mes tyre edhe familja e oficerit Ramos, duke përfshirë të venë e tij dhe dy djemtë.

Zoti Biden tha se vrasja e dy oficerëve të policisë "preku shpirtin e një kombi të tërë." Njerëzit duartrokitën gjatë kur zoti Biden e quajti Departamentin e Policisë së New Yorkut më të mirin në botë.

Nga ana e tij, zoti Cuomo tha se Nju Jorku humbi një hero, ndërsa kryebashkiaku de Blasio tha se oficeri i policisë Ramos do të kujtohet gjithmonë.

Disa policë të Nju Jorkut që ndodheshin në kishë kthyen shpinën gjatë fjalimit të zotit de Blasio. Ata kanë kritikuar kryetarin e bashkisë për disa nga deklaratat e tij publike, për të cilat ata thonë se mund të provokojnë sulme të tilla si ato që çuan në vrasjen e oficerit Ramos dhe partnerin e tij të patrullës, Wenjian Liu nga distancë e afërt.

Planet e varrimit për oficerin tjetër të policisë Wenjian Liu, ende nuk janë njoftuar. Dy oficerët u vranë më 20 dhjetor, ndërsa ishin ulur brenda makinës së policisë në një rrugë të lagjes Brooklyn. Personi që hapi zjarr më pas vrau veten.

XS
SM
MD
LG