Lidhje

Itali-Shqipëri-Serbi, takim në Romë


Ministrat e jashtëm të të tre vendeve takohen në kryeqytetin italian. Ministri i Jashtëm i Italisë Gentiloni: “Eshtë një sinjal i qartë dhe për Europën”

Në Romë u zhvillua sot takimi tre palësh mes ministrave të jashtëm të Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë, një nismë e diplomacisë italiane për të nxitur dialogun në Ballkan, ku ajo sheh te Tirana dhe Beogradi, dy faktorët më të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.

Ministri italian i jashtëm Paolo Gentiloni pati fillimisht dy takime të vecanta me homologun shqiptar Ditmir Bushati dhe atë serb Ivica Dacic, përpara se të niste takimi tre palësh. Në përfundim të tij, në një konferencë të përbashkët shtypi, ai u shpreh se “ky takim i parë trepalësh është dhe një mesazh i qartë drejtuar Europës”, ndërsa nënvizoi se për Italinë, integrimi europian i Shqipërisë dhe Serbisë “është një angazhim strategjik, i cili duhet bashkëndarë edhe me Europën”. Sipas ministrit italian “takimi i sotëm është i rëndësishëm për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve”, duke uruar që “ky të jetë një hap i parë për të ecur përpara dhe në muajt që vijnë”, deklaroi ministri Gentiloni.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, në fund të dhjetorit të shkuar, kryeministri italian Matteo Renzi, deklaroi se shpresonte që dhe ai vetë të mirëpriste në Romë një tjetër takim trepalësh në nivel kryeministrash.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë qenë prej kohësh në nivele formale. Vizita në muajin nëntor e kryeministrit Edi Rama në Beograd, shënoi një hap të rëndësishëm, pavarësisht tensionit me të cilin u prit nga kryeministri serb Aleksandër Vucic, qëndrimi i Tiranës lidhur me Kosovën.

“Takimi i sotëm i kontribuon stabilitetit në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë” u shpreh ministri Ditmir Bushati, duke theksuar se vullneti i palës shqiptare në këtë drejtim ishte dëshmuar dhe me vizitën e kryemiistrit Rama në Serbi. Sipas zotit Bushati “dialogu duhet të pasohet dhe nga një forcim i shkëmbimeve tregtare duke rrëzuar paragjykimet ekzistuese”.

Frymës së bashkëpunimit i ka mëshuar edhe ministri serb Ivica Dacic. “Ne duhet të mësohemi të flasim për të gjitha problemet, edhe kur për to nuk kemi konsensus. Duhet të përqëndrohemi te pikat që na bashkojnë dhe jo te ato që na ndajnë”, u shpreh zoti Dacic.

Nisma e Italisë është propozuar që pranverën e vitit të shkuar, nga ministrja e atëhershme italiane Emma Bonino. Ajo u rikonfimua dhe nga pasuesja e saj Federica Mogherini, e cila aktualisht është Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit europian, ndërsa u konkretizua nga kreu aktual i diplomacisë italiane Gentiloni.

XS
SM
MD
LG