Lidhje

Intervistë me Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra


Në Shqipëri, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, thotë se komuniteti musliman po bashkëpunon me autoritetet shtetërore kundër terrorizmit, duke frenuar rekrutimet e besimtarëve të rinj nga ISIS-si. Zoti Gurra është një antarët e kryesisë së Komunitetit Musliman Shqiptar, i cili mori pjesë përkrah klerikëve të tjerë në tubimin e Parisit kundër terrorizmit. Ai thotë se krimet barbare të ISIS-it në Siri nuk kanë asgjë të përbashkët me fenë islame, e cila po keqpërdoret prej kriminelëve atje. Në një bisedë me korrespondentin tonë, Ilirian Agolli, zoti Gurra vlerësoi lart harmoninë fetare që ekziston në Shqipëri, dhe me të cilën shqiptarët mund të krenohen.

Intervistë me Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra

Zëri i Amerikës: Çfarë ndjeni kur shihni se si në emër të fesë islame përfaqësues të ISIS vrasin gazetarë dhe pengje, njerëz të pafajshëm?

Ylli Gurra: Tragjeditë që po kryen ISIS janë dhimbja e shekullit. Kam dhimbje dhe ndjehem i tronditur nga barbaria e shekullit 21: vrasja që po bën ISIS e njerëzve të pafajshëm, e grave e fëmijëve , e pjestarëve të religjioneve të tjera, djegiet makabre yë njerëve. Këto tragjedi janë barbaria e shekullit 21 dhe do të shënohen kaq të zeza në historinë njerëzore. Përtej dhimbjes, ndjehem i prekur shpirtërisht, ndjehem i tronditur përballë makabritetit, përballë krimeve monstruoze që në asnjë libër në asnjë ligjshmëri, në asnjë religjion, në asnjë kulturë, në asnjë normë njerëzore qytetare dhe fetare nuk lejohen dhe as shkruhen as citohen. Nëse çdo shekull ka patur dhimbjet, tragjeditë e veta, shekulli ynë, për fatin e keq, ISIS është domethënia e një barbarie.

Zëri i Amerikës: Por ata thonë se i bëjnë ato krime në emër të një çështje fetare?

Ylli Gurra: Pjesa më e ndjeshme ku preket çdo njeri është besimi fetar. Prandaj edhe këta monstra po e shfrytëzojnë kartën e besimit për fat të keq të njerëzimit. Qëllimisht ata e hedhin në tryezën e botës së qytetëruar kartën se Islami dhe besimtarët e tij janë vrasja, dhe lakojmë më së shumti Sheriati, ligjshmëria fetare, si burim i ekzekutimeve, vrasjeve, vdekjeve. Këto krijesa monstruoze e keqpërdorin këtë ide në mënyrën më të keqe.

Zëri i Amerikës: ka patur jo pak rekrutime nga ISIS edhe midis të rinjve shqiptarë. A po ndodhin më rekrutime dhe çfarë masash janë marrë për t'i ndërprerë ato?

Ylli Gurra: Për fat të mirë, ne nuk kemi ikje nga Shqipëria drejt Sirisë. Ato udhëtime kanë ndodhur para një viti. Ishte një numër jo i madh, dhe Shqipëria është ndër vendet e rajonit me numrin më të pakët. Edhe forcat e rendit e të sigurisë kanë marrë në kohë masat e duhura. Edhe Komuniteti Musliman i Shqipërisë dhe drejtuesit e lartë deri te imamllarët kanë përcjellë mesazhin që asnjëherë nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë një çlirim të tokave të trojeve të shteteve të kombeve, të popujve të tjerë në emër të asnjë besimi qoftë islamit apo krishterimit. Në histori kanë ndodhur herë pas here të tilla lajthitje. Sipas Kuranit, ne Islamin e kemi së pari te vetja jonë, te njerëzit tanë të afërt, e kemi te fqinjët tanë, te qytetarët tanë dhe më gjerë te atdheu ynë i dashur. Askush nuk mundet ta tejkalojë Zotin. Kur një popull është sirian, turk, amerikan, britanik dhe shqiptar, askush nga ne nuk ka përgjegjësitë e shpëtimit të tyre, të çlirimit të tyre në shekullin e 21, kur mirëfunkionojnë organizma ndërkombëtarë që rregullojnë ekonominë, politikat, fetë për të gjithë qytetarët e botës. Sipas Kuranit, askush nuk mund të marrë përgjegjësinë se “do të ngrihet e të çlirojë Sirinë apo Spanjën e Francën”. Këta njerëz zinxhirët e mëdhenj të robërisë së vetvetes i shohin tek njerëzit, kombt dhe popujt e tjerë. Si thotë populli; e shehqimen tek tjetri dhe nuk sheh traun para syrit dhe mendjes së vet.

Zëri i Amerikës: Komuniteti Musliman është më i madhi në Shqipëri, pra, çfarë ndihmese jepni ju në luftën kundër terrorizmit?

Ylli Gurra: Komuniteti Musliman nuk është më i madhi vetëm numerikisht. Më i madhi është ai që u shërben më shumë të tjerëve dhe këtij vendi. Ne e kryejmë këtë shërbim nga kryetari i komunitetit dhe deri te çdo besimtar. E kundërta e kësaj nuk ka lidhje, nuk justifikohet dhe nuk përputhet aspak me qëllimin e fesë islame. Shërbimet që japim ne besimtarëve tanë, jobesimtarëve apo të besimeve të tjera duhet të përputhen me nevojat e tyre. Ky është qëllimi i fesë. Nëse nuk u shërbejmë nvojave të qytetarëve ne kemi dalë nga kornizat e besimit.

Pas ngjarjeve tragjike të janarit 2015 në Paris kundër gazetarëve të revistës satirike “Charlie Hebdo” kryeministri Rama kërkoi me të drejtë se duhet të ketë një gërshetim, një bashkëpunim më të ngushtë midis qeverisë, institucioneve shtetërore, komunitetet fetare dhe medias. Midis tyre duhet një bashkëpunim i fortë, informim në kohën e duhur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Pra, informacioni bazik mbi fenë duhet gërshëetuar me traditën shqiptare të bashkëjetesës, e cila është e shkëlqyer, shembull, model, piedestal i një nga virtyteve që ka kombi shqiptar. Ky gërshetim do të sjellë rezultatet e veta, që po fuken qysh tani.

Unë pata një takim shumë të frytshëm edhe me drejtorin e përgjithshëm të policisë, Artan Didi, për këtë problematikë. Pra, ka një interesim të vazhdueshëm të vetë institucioneve shtetërore. Edhte organizmat ndërkombëtare po përqëndrohen në krijimin e këtyre urave, e këtyre kanaleve të përhershme me njerëzit e besimit fetar, që të mund të parandalohen lindjet e ekstremizmave dhe rrëshqitjet në radikalizëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Gurra! Çfarë emocionesh përjetuat në Francë, ku përkrah me klerikë të besimeve të tjera marshuat mes milionave të tjerëve kundër terrorizmit, pas vrasjes së gazetarëve të “Charlie Hebdo”?

Ylli Gurra: Isha i drithëruar në ato minuta kur mora pjesë në marshimin e botës së qytetërruar në Paris 11 janar 2015. Ishim me kryeministrin Rama dhe me përfaqëuses të besimeve të tjera, ortodoksë, katolikë, bektashinj për të treguar që një komb i vogël si ne mbart relike që bota i kanë zili, si bashkëjetesa fetare. Ne dhamë një dëshmi të këtij solidariteti në një ditë të madhe dhimbje për Francën dhe gjithë botën e qytetëruar. Ne treguam se shqiptarët kanë mundur dhe tregojnë për botën se janë të gatshëm të ndajnë dhimbjen me të gjithë ata njerëz që goditen në emër të fjalës së lirë apo të besimit fetar. Krahas ekstremizmave dhe radikalizmave është rritur edhe islamofobia. Edhe unë kur e vë veten në vendin e një qytetari britanik, francez, gjerman, danez etj., ndjehem i frikësuar. Por unë mund t'i siguroj me shkëlqimin e kësaj dite se Islami dhe ata që përfaqësojnë vërtetësisht Islamin nuk janë në këtë botë për të imponuar pushtet, dhunë, presion etj., aq më pak ato makabritete që po ndodhin në Siri dhe Irak. Ato akte nuk janë të Islamit. Detyra kryesore iu bie pjestarëve të komunitetit musliman që ta shpjegojmë këtë. Ashtu si ishim në Paris në bulevardin Volter përkrah me klerikët e gjithë feve në krah të miliona parisienëve dhe europianëve, ashtu duhet të jemi edhe në jetën tonë në Shqipëri. Realiteti shqiptar na e imponon këtë butësi. Ne së pari, duhet ta shpjegojmë Islamin, ta jetojmë atë, dhe për të tjerët të jemi shpresa dhe jo frika.

XS
SM
MD
LG