Lidhje

Përmbytjet tkurrin rritjen ekonomike


Banka e Shqipërisë rishikon lehtësisht në ulje parashikimin për rritjen e ekonomisë jatë 2015. Norma e interesit mbetet e pandryshuar

Në Shqipëri përmbytjet në zonën jugperëndimore të vendit, gjatë muajit shkurt, pritet të kenë ndikim mbi rritjen ekonomike të vendit gjatë 2015. Vlerësimi vjen nga Banka e Shqipërisë e cila në raportin e saj të fundit mbi politikat monetare shpjegon se “dëmet e shkaktuara nga përmbytja kanë kërkuar një rishikim të lehtë për poshtë të parashikimeve tona për rritjen ekonomike të vitit 2015”, thuhet në deklaratën e Bankës së Shqipërisë. Objektivi i autoriteteve është që rritja ekonomike jatë këtij viti të jetë në nivelin e 3 përqind. Banka, saktëson se “megjithatë, ndikimi i tyre pritet të jetë i përkohshëm dhe ekonomia projektohet të qëndrojë në një trend rritës në horizontin afatmesëm. Rritja ekonomike e vitit 2015 parashikohet të jetë më e lartë se ajo e vitit të shkuar”, thuhet në deklaratën e Bankës. Për 2014 Qeveria pret që ritmi i rritjes ekonomike të ketë qenë në nivelin e 2-2.1 përqind. Për nëntë muajt e parë të viti të shkuar, rritja ishte në nivelin e 1.4 përqind. Sipas Bankës tremujori gjatë tremujorit të fundit janë regjistruar ritme më të larta rritjeje.

Për vitin 2015, raporti i Bankës së Shqipërisë shpjegon se “zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vazhdojë të mbështetet në masën më të madhe nga rritja e sektorit privat, ndërkohë që kërkesa e huaj pritet të ketë një rol të vogël pozitiv dhe shpejtësia e konsolidimit fiskal pritet të vijë në rënie”. Sipas Bankës rritja ekonomike në 2015 do të jetë sërish nën potencial “duke diktuar një shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve prodhuese. Këto kapacitete të pashfrytëzuara ilustrohen nga nivelet relativisht të larta të papunësisë dhe reflektohen në presione të ulëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit. Paralelisht me to, kërkesa e dobët agregate frenon edhe rritjen e normave të fitimit të biznesit. Në afat të mesëm, përmirësimi i pritur i rritjes ekonomike do të kthejë ekonominë në ekuilibër”.

Këshilli Mbikqyrës i Bankës, në mbledhjen e tij të djeshme vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit, duke e lënë atë në kuotën e 2 përqindëshit. “Informacioni i ri i marrë në analizë nuk ndryshon vlerësimet tona për gjendjen aktuale të ekonomisë dhe të tregjeve financiare, si dhe pritjet për zhvillimet e tyre në të ardhmen. Kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për të siguruar kthimin e inflacionit në objektivin tonë prej 3.0% në periudhën afatmesme. Duke gjykuar mbi zhvillimet e pritura dhe balancën e rreziqeve rreth tyre, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë natyrën e saj stimuluese, edhe për disa tremujorë në vazhdim”, shpjegon Banka vendimin e marrë

XS
SM
MD
LG