Lidhje

Bisedimet bërthamore SHBA-Iran


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe ministri i jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif po takohen sot përsëri në Zvicër, ndërsa vazhdojnë negociatat për një marrëveshje për programin bërthamor të Iranit.

Kerry dhe Zarif iu bashkuan diplomatëve dhe ekspertëve nga të dyja palët në hapje të raundit të fundit të bisedimeve të djelën. Mbeten edhe dy javë para afatit të vendosur nga palët për arritjen e një marrëveshje kornizë për të siguruar se programi bërthamor i Iranit është paqësor në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Kerry tha të dielën se pengesat e mbetura janë më shumë politike sesa teknike.

Ndërkohë, udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell nxorri një deklaratë kundër bisedimeve dhe i tha CNN-it se Presidenti Barack Obama ishte në prag yë një “marrëveshjeje shumë të keqe” me Teheranin.

Dje vonë, Shtëpia e Bardhë i kërkoi Kongresit që të mos ndërhyjë në negociatat me Iranin për aftësitë e tij bërthamore.

Shefi i Personelit i Shtëpisë së Bardhë Dennis McDonough paralajmëroi Kongresin në një letër se një projektligj që është nën shqyrtim përmes së cilit kërkohet miratimi i Kongresit për çdo marrëveshje me Iranin për aftësitë e tij bërthamore mund të kishte “një efekt thellësisht negativ” tek negociatat.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se Presidenti Barack Obama do t’i vinte veton një projekt-ligji të tillë.

XS
SM
MD
LG