Lidhje

Protestë në Shkup


Qindra banorë u mblodhën të martën në orët e mbrëmjes para selisë së qeverisë së Maqedonisë për të protestuar pas publikimit nga opozita të bisedave të përgjuara të zyrtarëve qeveritarë lidhur me vrasjen e një të riu maqedonas, para katër vjetësh.

Protestuesit u përpoqen të hyjnë brenda ndërtesës, por u penguan nga policia. Ata thërrisnin “dorëheqje”, ndërsa ftonin policët që t’u bashkoheshin protestuesve.

Më herët, gjatë ditës opozita e drejtuar nga Zoran Zaev publikoi biseda të përgjuara të Ministres së Brendëshme Gordana Jankullovska me drejtorin e Shërbimit Sekret, me shefin e kabinetit të kryeministrit si dhe me vetë Kryeministrin Nikolla Gruevski, ku dëgjohen duke folur për mbulimin e gjurmëve të vrasjes së të riut Martin Neshkovski nga një ish-truprojë e kryeministrit, gjatë një mitingu të partisë VMRO-DPMNE në Shkup.

Rasti në atë kohë pat nxitur mjaft protesta, ndërkohë që autoritetet dhe mjetet e informimit të afërta me pushtetin nuk raportonin ose njoftonin fare pak mbi mënyrën se si kishte humbur jetën 21 vjeçari maqedonas.

XS
SM
MD
LG