Lidhje

Politika reagon për ngjarjen në Lazarat


Reagojnë ashpër drejtuesit kryesorë të vendit. Replika mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha. Reagime dhe nga ambasada e SHBA-ve dhe BE-së

Pak pas mesditës helikopteri i ministrisë së Shëndetësisë u ul në pistën e Spitalit të Traumës në Tiranë së bashku me dy efektivat e forcave speciale të cilët mbetën të plagosur gjatë operacionit të sotëm në Lazarat. Pas ekzaminimeve të para, drejtori i këtij spitali Gjovalin Bushi, u shpreh se gjendja e tyre ishte normale dhe pa pasoja: “Njëri nga të plagosurit ka një plagë në kokë, sipërfaqësore, ndërsa tjetri një plagë në shpatullën e majtë. Aktualisht njanë në parametra krejt normal fiziologjik, dhe besojmë se nuk do të kenë asnjë pasojë”.

Shqipëri: Politika reagon për ngjarjen në Lazarat
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:37 0:00

Të dy efektivët u vizituan nga kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë dhe ai i Brendshëm. Më pas për të parë nga afër gjendjen e tyre shkoi edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. Të dy drejtuesit politik e dënuan ngjarjen e rëndë ku humbi jetën njëri prej pjestarëve të forcave speciale. “Sot është ditë zie për gjithë policinë e shtetit, për të gjithë punonjësit familjen e policisë por besoj që cdo shqiptar cdo familje shqiptare që vlerëson ndershmërinë, kurajon, shërbimin e policisë së shtetit sot ka zi”, u shpreh zoti Rama.

Partia demokratike kishte dalë më herë me një deklaratë në të cilën kërkonte nga Policia “të zbardhë menjëherë ngjarjen, të ofrojë transparencë maksimale për çfarë po ndodh, të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë të banorëve dhe punonjësve të policisë si dhe të marrë të gjitha masat për ndalimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, duke shmangur çdo pasojë mbi popullatën civile”.

Ky tekst u kritikua ashpër nga kryeministri Rama: “Duhet të ndjehen vërtetë keq ata që për faqen e tyre të zezë edhe në këtë moment që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish flasin me dy kuptime dhe i këkojnë llogari policisë madje dhe duke e fajësuar në mënyrë jo aq direkte”.

Por këtë qëndrim të tij, kreu i opozitës Basha e cilësoi si të papranueshëm: “Është një deklaratë e papërgjegjshme, diabolike që unë e hedh poshtë me neveri. Nuk ka asgjë të dykuptimtë në dënimin që i bëjmë me ashpërsi këtij akti kriminal të goditjes së efektivëve të policisë së shtetit. Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi qenë, jemi e do të jemi gjithmonë në krahun e çdo efektivi të policisë së shtetit në detyrë dhe në zbatim të ligjit. Nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh mbrojtjen e jetëve të efektivëve të policisë së shtetit, jetëve të popullsisë civile, nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh transparencën që mungon në këtë cast”.

Për ngjarjen reagoi dhe presidenti Bujar Nishani, i cili ndërsa dënonte atë që e cilësoi si “akt kriminal” u kërkoi “autoriteteve ligjzbatuese që në mënyrë profesionale të bëjnë zbulimin e menjëhershëm të këtij krimi dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve, duke u bërë njëkohësisht thirrje për qetësi qytetarëve të Lazaratit në këto momente të vështira”, përfundon deklarata e presidentit.

Edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ndërsa nënvizonte faktin se efektivi i vrarë kishte marrë pjesë dy herë në misionet e Natos në Afganistan, theksonte se “ mbështet plotësisht përpjekjet e ligjzbatuesve shqiptarë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe bën thirrje që autorët e këtij krimi të tmerrshëm të ndiqen penalisht dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit. Dënojmë me forcë çfarëdo dhune që drejtohet ndaj forcave të zbatimit të ligjit”, mbyllet deklarata.

Edhe delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë u shpreh gjithashtu për ngjarjen. “Ne përshëndesim kurajën e oficerëve shqiptarë të policisë që po i shërbejnë vendit të tyre duke e çuar përpara luftën kundër trafikut të drogës dhe do të vazhdojmë të mbështesim fuqimisht të gjithë ata që punojnë në Shqipëri për zbatimin e shtetit ligjor”, lexohet në deklaratë.

XS
SM
MD
LG