Lidhje

Basha: Analizë rezultatit të zgjedhjeve


Kreu i opozitës: "21 qershori, zgjedhje jashtë çdo standarti bashkohor europian". PD, hapje më e madhe e më shumë komunikim me qytetarët

Në Shqipëri partia demokratike forca kryesore e opozitës tha sot se do të zhvillojë një analizë të hollësishme të rezultatit të zgjedhjeve të 21 qershorit, pavarësisht se kryetari i saj Lulzim Basha i cilësoi ato si zgjedhje që nuk respektuan asnjë standart. Në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij zoti Basha foli për nevojën e një hapje të mëtejshme të kësaj force politike

Ashtu sic ka përsëritur disa herë, edhe sot kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha, i mëshoi idesë se për të djathtën shqiptare zgjedhjet e fundit vendore janë zhvilluar sipas tij në shkelje të hapur të të gjitha standarteve: “Për fatin e keq të shqiptarëve dhe për turpin e qeverisë Rama-Meta këto zgjedhje po vulosen dita-ditës, sa më qartë del në pah e vërteta e tyre tronditëse, si zgjedhje jashtë çdo standarti bashkohor europian, si zgjedhje jo te lira dhe të ndershme. Në këto zgjedhje u dëshmua shfaqja më brutale e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim në qeverisjen e Republikës së Shqipërisë”.

Zoti Basha theksoi kandidimin e personave me një të kaluar kriminale, përdorimin sipas tij të bandave të lidhura me pushtetin për të frikësuar zgjedhësit e mbështetësit e opozitës, përdorimin dhe trysninë ndaj administratës, apo dhe përdorimin e fondeve publike dhe parave të pista sic tha për blerjen e votës, duke u ndalur më pas dhe në raste konkrete që sipas tij do të jenë pjesë e një raporti të plotë që do t’u paraqitet dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Nga 61 bashki në të gjithë vendin e djathta fitoi vetëm në 15 prej tyre. Megjithatë, kreu i opozitës theksoi se “pavarësisht skemës kriminale për t’i marrë frymën opozitës, pavarësisht manipulimeve, blerjes së votave dhe marifeteve që do të jenë objekt i betejës sonë të re juridike dhe politike, Partia Demokratike dhe opozita u rrit në këto zgjedhje”.

Zoti Basha njoftoi më pas se rezultati i zgjedhjeve do të jetë objekt i një analize të detajuar: “Unë dhe gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike, nga baza në qendër, kemi një pergjegjesi të madhe per të analizuar në thellësi rezultatin e këtyre zgjedhjeve kuti për kuti, bashki për bashki; Për të parë më shumë nga vetja jonë, të gatshëm të njohim dhe pranojme defektet dhe të metat tona, pasi keshtu do të behemi më të fortë”.

Kreu i opozitës paralajmëroi një hapje të partisë “për të bashkëpunuar me këdo dhe me të të gjithë ata që pranojnë të ndajnë me ne opozitën dhe jo interesin”, u shpreh ai duke vënë theksin te “një bashkëpunim më i ngushtë me shoqërinë civile, me botën intelektuale e akademike; një intensifikim shumë më i madh i komunikimit me qytetarët për të kompletuar pa humbur kohë programin më konkret dhe më të detajuar të zhvillimit që ndonjë opozitë ka patur ndonjëherë”.

Që këtë vjeshtë u shpreh zoti Basha opozita do të jetë në të gjithë vendin duke komunikuar me njerëzit për problemet e tyre dhe alternativën që ajo paraqet.

XS
SM
MD
LG